Tentoi të korruptonte zyrtarët e policisë me 50 euro, i dyshuari arrestohet në flagrancë

Prishtinë | 17 Gus 2026 | 11:23 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës konkretisht, Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Gjakovë, pas pranimit te informatave relevante nga stacioni policor në Gjakovë ka ndërmarrë veprime hetimore lidhur me dyshimin për një rast “dhënie ryshfeti”.

Rreth orës 03:20, në rrugën “Nënë Tereza” në Gjakovë, një person i dyshuar se kishte kryer kundërvajtje në trafik, gjatë kontrollit nga zyrtarët policorë ka tentuar t’ua jepte një kartëmonedhë prej 50-eurosh, me qëllim shmangien e shqiptimit të masës për kundërvajtjen. Pavarësisht paralajmërimit të zyrtarëve policorë se një veprim i tillë është i kundërligjshëm, i dyshuari ka insistuar në dhënien e parave me ç’rast është arrestuar.

I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ndërsa prokurori i PTH-së në Gjakovë ka nxjerr aktvendim për ndalimin e tij për 48 orë. Kartëmonedha prej 50-eurosh është sekuestruar si provë, ndërsa rasti do t’i përcillet
prokurorisë për procedim të mëtejmë.

Policia e Kosovës rikonfirmon se korrupsioni dhe ryshfeti janë të kundërligjshme dhe se zyrtarët policorë, në përmbushje të detyrave të tyre, do të veprojnë në mënyrë profesionale dhe të paanshme ndaj çdo tentative për ndikim të paligjshëm.
Rasti vazhdon të hetohet nga autoritetet kompetente.

Të ngjashme