Kanosi punëtorët e KRU “Mitrovica”, kërkohet paraburgim për të dyshuarin

Prishtinë | 17 Gus 2026 | 11:48 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Përgjithshëm ka paraqitur kërkesë pranë Gjykatës Themelore në Mitrovicë – Dega Vushtrri, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit me iniciale F.Sh., për shkak të kryerjes së veprave penale ”Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm“ dhe “Kanosja“.

Ekziston dyshimi i bazuar mirë, se me 29 korrik 2026, në fshatin Pantinë të Komunës së Vushtrrisë, pasi tre punëtorë të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica” kishin bërë shkyçjen e furnizimit me ujë në pronën e tij, i pandehuri F.Sh. i ka kanosur ata dhe ka shkrepur armë me gaz në drejtim të automjetit zyrtar të KRU “Mitrovica”.

Po ashtu, i pandehuri dyshohet se ka kanosur zyrtarët e KRU “Mitrovica” se do t`i vrasë të tre nëse e lajmërojnë rastin në polici.

Me vendim të prokurorit, i pandehuri ndodhet në ndalim që nga dita e shtunë, ndërsa arma me gaz i është sekuestruar.

Të ngjashme