Njësia e Motoçikletave në kuadër të Njësisë së Komunikacionit Rrugor në Ferizaj ka shqiptuar 61 tiketa për kundërvajtje në trafik gjatë javës së kaluar.
Sipas Policisë, 12 gjoba janë shqiptuar për mosrespektim të shenjave të trafikut, 8 për përdorim të telefonit gjatë vozitjes, 7 për mosmbajtje të distancës së sigurisë dhe 5 për shkelje të rregullave të peshores nga shoferët e kamionëve.
Ndërsa 29 gjoba të tjera janë shqiptuar për kundërvajtje të ndryshme.
Njësia e Motoçikletave thotë se ka vepruar në tërë territorin e Rajonit të Ferizajt, përfshirë Ferizajn, Kaçanikun, Shtimen, Shtërpcën dhe Hanin e Elezit.
“Policia Rajonale e Ferizajt apelon te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat dhe shenjat e komunikacionit, të mbajnë distancën e sigurisë dhe të shmangin përdorimin e telefonit gjatë drejtimit të automjetit. Kujdesi, përqendrimi dhe respektimi i rregullave të trafikut shpëtojnë jetë. Udhëtoni me përgjegjësi dhe kontribuoni për një trafik më të sigurt për të gjithë”, thotë PK.