Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka arrestuar personin me inicialet I.Ç., nën dyshimin për falsifikim të dokumenteve dhe mashtrim.
Sipas Prokurorisë, i dyshuari, në cilësinë e pronarit dhe personit përgjegjës të Qendrës për Verifikim të Aftësive Profesionale “A.” në Prizren, dyshohet se ka lëshuar diploma të aftësimit profesional për profesione të ndryshme, pa zhvilluar trajnimet teorike dhe praktike.
Hetimet dyshohet se kanë zbuluar se nga viti 2019 deri më tani janë lëshuar rreth 1,679 diploma, ndërsa pagesa për një diplomë dyshohet se ka qenë rreth 300 euro. Përfitimi i dyshuar nga kjo veprimtari arrin në rreth 500 mijë euro.
Prokuroria thotë se diplomat dyshohet se janë përdorur për punësim brenda dhe jashtë Kosovës, si dhe për plotësimin e kritereve në procedura të ndryshme të prokurimit.
Gjatë një kontrolli të urdhëruar nga Gjykata Themelore në Prizren dhe të realizuar në bashkëpunim me inspektorët tatimorë, janë sekuestruar 333 diploma profesionale, dy kompjuterë, dy USB, tri vula të biznesit, një telefon, 11 fletë me shënime për borxhe dhe pagesa, 630 euro para të gatshme dhe nëntë kartëvizita.
Sipas dyshimeve të hetimit, subjekti nuk ka qenë i akredituar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve dhe nuk ka qenë i autorizuar për ofrimin, vlerësimin dhe certifikimin e kualifikimeve profesionale.
I dyshuari ndodhet në ndalim prej 48 orësh, ndërsa Prokuroria do të vlerësojë nëse do të kërkojë caktimin e masës për sigurimin e pranisë së tij në procedurën penale.
Prokuroria dhe Policia kanë bërë thirrje që qytetarët që dyshojnë se janë mashtruar apo dëmtuar lidhur me diploma ose dokumente të aftësimit profesional nga ky subjekt, ta raportojnë rastin në Prokurorinë Themelore në Prizren ose në stacionin më të afërt policor.