Kapet në flagrancë i dyshuari për zjarrvënie në Mirditë

Prishtinë | 18 Gus 2026 | 20:35 | Nga Ekonomia Online

Një person është arrestuar në flagrancë nga Policia e Shtetit në Mirditë, pasi dyshohet se ka shkaktuar qëllimisht disa vatra zjarri në fshatin Gziq të Rrëshenit.

Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, i cili deklaroi se i dyshuari, banues në këtë fshat, dyshohet se ka ndezur tre vatra zjarri, duke djegur një sipërfaqe pyjore prej rreth 400 metrash katrorë.

Sipas Lamallarit, zjarri është vënë nën kontroll nga shërbimet policore të Mirditës, të cilat prej tre ditësh ishin në terren për monitorimin e situatës. I arrestuari dyshohet gjithashtu si autor i disa rasteve të tjera të zjarrvënies në territorin e Bashkisë Mirditë.

Lamallari e cilësoi zjarrvënien e qëllimshme si një krim që duhet të marrë ndëshkimin e merituar dhe i bëri thirrje Prokurorisë që hetimi të vijojë deri në zbardhjen e plotë të rastit.

“Apeli im për Prokurorinë është i drejtpërdrejtë: kjo çështje duhet të shkojë deri në fund. Hetim i plotë, prova të plota dhe përgjegjësi penale për autorin, nëse fajësia provohet”, shkroi Lamallari.

Të ngjashme