Gara për “Topin e Artë” këtë vit duket më e hapur se zakonisht, pasi disa prej emrave kryesorë nuk kanë zhvilluar një sezon dominues nga fillimi deri në fund.
Në këtë situatë, Harry Kane është shfaqur si një prej kandidatëve seriozë për çmimin më prestigjioz individual në futboll.
Legjenda e Bayern Munich dhe futbollit gjerman, Lothar Matthäus, nuk ka dyshime: sipas tij, sulmuesi anglez meriton “Topin e Artë” më shumë se çdo lojtar tjetër.
“Për mua, Harry Kane është kandidati kryesor për ta fituar ‘Topin e Artë’. Unë e shikoj të gjithë vitin, jo vetëm një ndeshje apo një turne”, deklaroi Matthäus për “Sky Sports Germany”.
Ai shtoi se disa lojtarë të Barcelonës fituan kampionatin spanjoll dhe më pas u shpallën kampionë bote me Spanjën, por sipas tij, asnjëri nuk u shkëput qartë mbi të tjerët.
“Kur flasim për Lamine Yamal, nuk mendoj se mund të themi se ai ka qenë dukshëm mbi të gjithë”, tha Matthäus.
Messi, Mbappé dhe Bellingham nuk e bindin Matthäus
Duke analizuar rivalët kryesorë të Kane, Matthäus u ndal edhe te Lionel Messi.
Sipas tij, suksesi i argjentinasit në kampionatin amerikan me Inter Miami nuk mund të krahasohet me nivelin e ligave më të forta evropiane.
Ai përmendi gjithashtu paraqitjet e Messit në Kupën e Botës, duke theksuar se pavarësisht golave të shumtë, argjentinasi pati edhe disa momente jo perfekte.
Për Kylian Mbappé, Matthäus theksoi se francezi arriti deri në gjysmëfinale të Kupës së Botës, por nuk fitoi trofe me Real Madridin.
Një vlerësim i ngjashëm vlen, sipas tij, edhe për Jude Bellingham, i cili nuk arriti suksesin e madh as me Anglinë dhe as me klubin madrilen.
“E vetmja mangësi e Kane ishte mungesa në dy finale”
Për Matthäus, sezoni i Harry Kane ishte ndryshe.
Sulmuesi anglez fitoi dy trofe në garat vendore dhe, sipas ish-kampionit të botës, tregoi një nivel jashtëzakonisht të qëndrueshëm gjatë gjithë sezonit.
“E vetmja mangësi në sezonin e Kane është fakti që nuk arriti në finalen e Kupës së Botës dhe as në finalen e Ligës së Kampionëve”, deklaroi Matthäus.
“Përveç kësaj, ai ka treguar nivele fantastike dhe, sipas meje, nuk ka kaluar asnjë periudhë të dobët gjatë gjithë vitit.”
Matthäus vlerëson edhe karakterin e Kane
Legjenda gjermane theksoi se i pëlqen edhe mënyra se si Kane sillet jashtë fushës.
“Kane dhe Rodri janë ndër ata lojtarë që flasin me paraqitjet e tyre në fushë. Ata nuk kërkojnë vëmendje përmes historive jashtë futbollit”, tha ai.
Në fund, Matthäus dha verdiktin e tij përfundimtar:
“Për mua, Harry Kane është futbollisti që e meriton ‘Topin e Artë’ më shumë se çdo lojtar tjetër.” /GazetaExpress/