Messi e shënon golin e parë dhe emocional pas vdekjes së babait

Prishtinë | 20 Gus 2026 | 09:38 | Nga Ekonomia Online

Lionel Messi e ka shënuar golin e parë për Inter Miamin që nga vdekja e babait të tij, Jorge Messi.

Sulmuesi argjentinas realizoi në minutën e 26-të në ndeshjen e MLS-së ndaj Philadelphia Union, duke ia dhënë Inter Miamit epërsinë 2-1.

Goli erdhi vetëm 11 ditë pas vdekjes së babait të tij, Jorge, i cili ndërroi jetë më 8 gusht në moshën 68-vjeçare, shkruan “Al Jazeera”, përcjell “Gazeta Express”.

Messi ishte protagonist edhe në aksionin e golit të parë të Inter Miamit, duke e dhënë asistimin për Danny Pintor, përpara se të shënonte vetë për përmbysjen e rezultatit.

Pas golit, Messi u përqafua nga shokët e skuadrës në një moment emocional. Argjentinasi festoi në mënyrë të përmbajtur, në një ndeshje që e kishte një rëndësi të veçantë për të pas humbjes së babait.

Jorge Messi ishte jo vetëm babai i Lionel Messit, por edhe përfaqësuesi i tij për një pjesë të madhe të karrierës.

Ai kishte qenë një figurë kyçe në rrugëtimin e djalit të tij drejt majave të futbollit botëror.

Messi u rikthye në fushë javën e kaluar, pas një periudhe të vështirë personale.

Ai fillimisht hyri si zëvendësues në humbjen nga León, ndërsa më pas startoi në humbjen 4-1 ndaj Nashville.

Në përballjen ndaj Philadelphia Union, Messi e tregoi edhe një herë rëndësinë e tij për Inter Miamin, duke kontribuar me një gol dhe një asistim.

Ndeshja përfundoi 2-2, me Inter Miamin që e shmangu një tjetër humbje, ndërsa goli i Messit ishte i 13-ti i tij në këtë sezon të MLS-së.

Për yllin argjentinas, ky gol kishte një domethënie shumë më të madhe sesa thjesht një realizim tjetër.

Ishte goli i parë që shënoi që nga humbja e babait të tij, në një periudhë jashtëzakonisht të vështirë për tetë herë fituesin e “Topit të Artë”. 

Të ngjashme