BDI-ja e Ali Ahmetit kërkon zgjedhje të reja në Maqedoni të Veriut

Prishtinë | 20 Gus 2026 | 11:34 | Nga Ekonomia Online

Bashkimi Demokratik për Integrim ka kërkuar shpërndarjen e Kuvendit dhe organizimin e zgjedhjeve të reja në Maqedoninë e Veriut.

Në një reagim për media, partia e udhëhequr nga Ali Ahmeti ka thënë se opozita dëshiron shkuarjen drejt kutive të votimit.

Për këtë, BDI-ja e ka përshëndetur edhe gatishmërinë e shprehur nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, për siç ka thënë “nëse këtë e kërkon opozita”.

“E kërkojmë. Më në fund edhe kryeministri e ka kuptuar se kjo gjendje është e paqëndrueshme dhe se vendi ka nevojë për një mandat të ri politik. Qeveria e humbi legjitimitetin për të vazhduar me izolimin evropian, degradimin e marrëdhënieve ndëretnike, cenimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe dobësimin e përfaqësimit të shqiptarëve në institucione.”, thuhet në reagimin e BDI-së.

BDI-ja ka kërkuar që deklarata e kryeministrit të shndërrohet menjëherë në veprim.

“Kërkojmë që brenda ditëve të përcaktohet afati më i shpejtë kushtetues, të fillojnë përgatitjet zgjedhore dhe qytetarëve t’u jepet mundësia të vendosin për drejtimin e vendit. Nëse oferta e kryeministrit është serioze, nuk ka arsye për vonesa, arsyetime apo kalkulime politike. Opozita e ka dhënë përgjigjen e saj. BDI është e gatshme. Le të shpërndahet Kuvendi. Le të caktohet data. Le të shkojmë në zgjedhje.”, thuhet në reagim.

Të ngjashme