Dhunohet fizikisht një 50-vjeçar në Vlorë, shoqërohet një nga autorët

Prishtinë | 20 Gus 2026 | 17:27 | Nga Ekonomia Online

Një incident i dhunshëm ka ndodhur pasditen e sotme në qytetin e Vlorës, ku një 50-vjeçar ka mbetur i dëmtuar pas një konflikti fizik me tre persona. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:00, në lagjen “10 Korriku”, në afërsi të një pike karburanti.

Sipas të dhënave të para, shtetasi I. H., 34 vjeç, banues në të njëjtën lagje, në bashkëpunim me dy persona të tjerë ende të paidentifikuar, kanë goditur fizikisht shtetasin M. K., 50 vjeç. Motivet e këtij konflikti mbeten ende të paqarta. Si pasojë e goditjeve, i dëmtuari ka marrë plagë në pjesën e ballit dhe është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës për marrjen e ndihmës mjekësore.

“Si pasojë e dhunës, shtetasi M. K. ka marrë disa dëmtime në pjesën e ballit dhe po transportohet për në Spitalin Rajonal Vlorë,” njofton RTSH-24.

Reagimi i shërbimeve të policisë ka qenë i menjëhershëm, duke bërë të mundur kapjen e njërit prej të dyshuarve kryesorë, ndërsa po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave.

“Nga shërbimet e Policisë po shoqërohet në ambientet e Komisariatit shtetasi I. H., ndërkohë që vijon puna për identifikimin dhe kapjen e dy shtetasve të tjerë të përfshirë në ngjarje,” informon gazetarja.

Grupi hetimor po vijon punën në vendngjarje për të mbledhur prova materiale dhe dëshmi që do të ndihmojnë në zbardhjen e motiveve të këtij incidenti.

Të ngjashme