Veturën me gruan brenda e hodhi në det, arrestohet 45-vjeçari shqiptar në Itali

Prishtinë | 20 Gus 2026 | 17:32 | Nga Ekonomia Online

Një 45-vjeçar shqiptar, është ndaluar nga karabinierët në Itali, nën dyshimin se ka tentuar të vrasë bashkëshorten e tij 44-vjeçare duke e drejtuar qëllimisht automjetin drejt detit në portin Cattolica, në provincën e Riminit.

Sipas hetimeve, burri e kishte ftuar bashkëshorten të dilnin me makinë, me pretekstin se do të shkonin për të bërë pazar. Kur mbërritën në zonën e portit, ai dyshohet se përshpejtoi dhe drejtoi automjetin drejt ujit. Makina goditi fillimisht një shtyllë dhe më pas përfundoi në një pjesë të detit rreth tre metra të thellë.

45-vjeçari arriti të dilte nga automjeti, ndërsa gruaja mbeti brenda makinës, e cila po mbushej me ujë, transmeton A2Cnn.

Gruaja, e cila, sipas raportimeve, nuk dinte të notonte, arriti të çlirohej përmes xhamit të pasmë. Ndërsa disa persona që ndodheshin në breg u hodhën në ujë dhe ndihmuan çiftin të dilte në breg. Gruaja u dërgua në spitalin e Pesaros për kontrolle.

Burri u largua nga vendngjarja, por u gjet më vonë pranë një zone të pyllëzuar.

Një natë më parë, ai ishte arrestuar pas një konflikti familjar, gjatë të cilit dyshohet se kishte kërcënuar dhe dëmtuar një automjet policie, duke plagosur lehtë edhe dy efektivë.

Pas hetimeve, 45-vjeçari u vu në ndalim për tentativë vrasjeje dhe iu dorëzua Prokurorisë së Riminit.

Të ngjashme