Ministria e Arsimit dhe Shkencës u ka bërë thirrje prindërve dhe kujdestarëve ligjorë që të mos nxitojnë me blerjen e teksteve mësimore dhe materialeve shkollore.
Në një njoftim, Ministria ka bërë të ditur se procesi i negocimit të çmimeve të teksteve mësimore me shtëpitë botuese ende nuk ka përfunduar. Për këtë arsye, katalogu përfundimtar i teksteve, së bashku me çmimet përkatëse, ende nuk është publikuar në faqen zyrtare.
Sipas Ministrisë, pas përfundimit të negociatave do të publikohet katalogu përfundimtar dhe do të përcaktohet shuma që do të ndahet për blerjen e librave për secilin nxënës.
MASh u ka bërë thirrje prindërve që të presin publikimin zyrtar dhe të mos bëjnë blerje paraprake. Po ashtu, librarive dhe shitësve të teksteve u është kërkuar të mos fillojnë shitjen para përfundimit të procedurave dhe njoftimit zyrtar nga Ministria.
Ministria ka theksuar se për informacionet e mëtejshme duhet t’u referohen vetëm njoftimeve dhe publikimeve zyrtare.