Flakët përfshijnë ndërtesën në Zvicër, 5 persona të zhdukur

Prishtinë | 21 Gus 2026 | 10:09 | Nga Ekonomia Online

Një zjarr i madh ka përfshirë gjatë natës një ndërtesë shumëkatëshe në Thusis, në kantonin Graubunden të Zvicrës, ku një restorant dhe disa banesa janë shkatërruar plotësisht nga flakët.

Sipas Policisë Kantonale të Graubunden, zjarri është raportuar pak pas mesnate dhe dyshohet se ka nisur në katin e dytë të ndërtesës.

Shkallët e ndërtesës janë shembur, duke ua vështirësuar punën ekipeve të emergjencës, shkruan Bild.

Me ndihmën e ekipeve të shpëtimit, 14 persona kanë arritur të dalin nga ndërtesa. Tetë prej tyre janë lënduar, ndërsa dy kanë pësuar lëndime të rënda dhe janë dërguar në spital.

Ndërkohë, pesë persona vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur.

Rreth 100 zjarrfikës nga rajoni janë angazhuar në shuarjen e zjarrit. Flakët kanë vazhduar edhe gjatë mëngjesit të së premtes.

Shkaqet e zjarrit ende nuk dihen. Policia Kantonale, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka nisur hetimet për të përcaktuar se si ka nisur zjarri.

Të ngjashme