El Nino më i fuqishmi ndonjëherë, 2027-ta mund të jetë viti më i nxehtë

Prishtinë | 21 Gus 2026 | 13:53 | Nga Ekonomia Online

El Nino që po zhvillohet mbi Oqeanin Paqësor mund të jetë më i fuqishmi i regjistruar ndonjëherë, ka paralajmëruar Zyra Meteorologjike e Mbretërisë së Bashkuar.

Ky fenomen i fuqishëm natyror klimatik rrit temperaturat globale dhe mund të shtojë rrezikun për kushte ekstreme atmosferike.

I kombinuar me ndikimet e ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor, El Nino, sipas “Met Office”, ka shumë gjasa që viti 2027 të jetë viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në botë.

Ka gjithnjë e më shumë dëshmi se modelet e motit në mbarë botën kanë filluar të ndikohen, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.

Në Indi janë regjistruar reshje musonike nën mesataren, ndërsa në Oqeanin Atlantik aktiviteti i uraganeve është më i ulët.

El Nino mund ta rrisë rrezikun që Mbretëria e Bashkuar të përballet me një vjeshtë të lagësht dhe me stuhi, ndërsa shenja për një periudhë të paqëndrueshme të motit tashmë po shfaqen në parashikimet afatgjata.

“Duhet ta kemi të qartë se ky është një fenomen i paprecedentë. Nuk kam parë kurrë një sinjal të El Ninos kaq intensiv në parashikimet tona”, tha profesori Adam Scaife, drejtues i parashikimeve afatgjata në Met Office.

Nuk ka prova të qarta se ndryshimet klimatike po i bëjnë fenomenet El Niño më të shpeshta, por ndikimet e tyre në mot pritet të jenë më ekstreme në një botë që po ngrohet.

Çfarë është El Nino?

El Nino është një fenomen natyror i motit që shfaqet zakonisht çdo dy deri në shtatë vjet dhe zgjat rreth një vit.

Erërat tregtare, të cilat zakonisht fryjnë nga lindja drejt perëndimit mbi Oqeanin Paqësor, mund të dobësohen ose edhe të ndryshojnë drejtim. Kjo bën që ujërat e ngrohta të zhvendosen drejt lindjes.

Të ngjashme