Të paktën dy persona janë vrarë në Ukrainë nga sulmet ruse, ndërsa nëntë persona vijojnë të jenë të zhdukur, një ditë pas një sulmi të dyfishtë me dronë ndaj një qendre tregtare, ku humbën jetën 16 persona.
Autoritetet lokale thanë se një person humbi jetën në një zjarr në një magazinë në Kiev, pas alarmit për një raketë balistike, ndërsa një tjetër u vra në një sulm me dron në Zaporizhzhia gjatë orëve të para të së shtunës.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se kishte kryer sulme masive, duke shënjestruar infrastrukturën e transportit dhe magazinat.
Sulmet vijnë një ditë pas një sulmi vdekjeprurës rus me dronë ndaj një qendre tregtare të mbushur me njerëz në Kryvyi Rih të premten. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e cilësoi sulmin “absolutisht cinik dhe të neveritshëm”.
Zelensky tha se sulmi gjatë ditës në qytetin e tij të lindjes u krye në “dy valë”, ku goditja e dytë kishte në shënjestër ekipet e emergjencës.
Pamjet dramatike të verifikuara nga BBC tregojnë momentin kur droni i dytë godet qendrën tregtare, e cila ishte tashmë në flakë, në rajonin e Dnipropetrovskut. Ushtria ruse nuk ka komentuar për sulmin.
Në sulmin ndaj qendrës tregtare më të madhe të qytetit u plagosën edhe 130 persona, përfshirë 23 fëmijë. Raportohet se persona të tjerë mund të jenë ende të bllokuar nën rrënoja.
Në orët e para të së shtunës, kreu i rajonit të Dnipropetrovskut, Oleksandr Hanzha, tha se numri i viktimave kishte shkuar në 16, pasi një tjetër trup u nxor nga rrënojat.
Sipas Hanzhës, në qendrën tregtare vijojnë të jenë të zhdukur nëntë persona, përfshirë dy fëmijë.
Më herët të premten, Hanzha tha se nga 130 personat e plagosur, 29 ishin në gjendje të rëndë. Ekziston frika se numri i viktimave mund të rritet më tej.
Ekipe të shpëtimit nga katër rajone të tjera të Ukrainës po dërgohen me urgjencë për të ndihmuar në kërkimin e të mbijetuarve.
Kryetari i bashkisë së Kryvyi Rihut, Oleksandr Vilkul, tha se dronët rusë fluturonin në “lartësi jashtëzakonisht të ulëta”, duke i cilësuar sulmuesit si “kafshë”.