Kurti: Joe dhe Shirley DioGuardi, tash zyrtarisht shtetas të Kosovës

Prishtinë | 25 Gus 2026 | 20:08 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi janë bërë zyrtarisht shtetas të Republikës së Kosovës, duke i cilësuar ata si miq të vjetër dhe të palëkundur të vendit.

Kurti ka thënë se kontributi i çiftit DioGuardi për Kosovën dhe shqiptarët ka qenë i jashtëzakonshëm, veçanërisht gjatë periudhave kur, sipas tij, zëri i shqiptarëve kishte nevojë të dëgjohej në arenën ndërkombëtare.

“Dy shtetas të rinj të Republikës, por miq të vjetër të Kosovës. Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi, përveçse Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tani zyrtarisht i përkasin edhe Republikës së Kosovës, sepse përherë e palëkundur qëndruan për kombin dhe me popullin shqiptar. Joe e Shirley gjithnjë interesohen për zhvillimet në Kosovë dhe japin ide e kontribut të çmuar”, ka shkruar Kurti.

Ai ka bërë të ditur se gjatë takimit me ta në Zyrën e Kryeministrit i ka falënderuar për kontributin e tyre shumëvjeçar.

“Në takimin e përzemërt që zhvilluam sot në Zyrën e Kryeministrit, i falënderova për kontributin e tyre të pamatshëm për rreth katër dekada nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara te Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane. Sikurse edhe anëtarët e Bordit të Ligës, me të cilët zhvilluam një diskutim të këndshëm për angazhimin e tyre të vyer dhe përkushtimin e paepur për atdheun, si dhe për aktualitetet dhe të ardhmen”, ka deklaruar ai.

Kurti ka përmendur edhe rolin e Joe DioGuardit në mbështetjen e Kosovës, duke e cilësuar atë si ish-kongresistin e parë amerikan me origjinë shqiptare.

“Ish-kongresisti i parë amerikan me origjinë shqiptare, Joe DioGuardi, bashkë me plejadën e Tom Lantos, Bob Dole dhe Eliot Engel, ishin nga zërat e hershëm dhe të fuqishëm mbështetës në kohët kur populli ynë kishte më së shumti nevojë të dëgjohej në botë”, ka shkruar Kurti.

Kryeministri në detyrë ka theksuar se Kosova ka qenë me fat që ka pasur mbështetës të tillë edhe para se të kishte ambasadë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“ Kosova ishte me fat dhe e bekuar që pati ambasadorë të këtillë edhe kur s’kishte ambasadë të Republikës në ShBA, andaj jemi përherë mirënjohës si shtet dhe popull”, ka shtuar Kurti.

Të ngjashme