Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gzim Sveçla, ka dorëzuar sot në Drejtorinë Hetimore në Prishtinë materiale që, sipas tij, janë pranuar nga një sinjalizues anonim dhe lidhen me çështjen e legalizimeve të dyshuara të paligjshme në Komunën e Prishtinës, raporton Ekonomia Online.
Sveçla tha se materialet përmbajnë pretendime lidhur me emra biznesesh, zyrtarësh dhe shkelje ligjore që dyshohet se kanë ndodhur gjatë procesit të legalizimit.
“Ashtu siç e kemi bërë paralajmërimin në faqen tonë zyrtare në rrjete sociale, sot pranë Hetuesisë kemi dorëzuar disa materiale të cilat i kemi marrë nga një sinjalizues anonim që prezantohet që është punëtor i komunës. Materialet kanë të bëjnë me çështjen tashmë të përfolur të skandalit të legalizimeve të paligjshme që kanë ndodhur në Komunën e Prishtinës. Konkretisht, tashmë tregohet qartë, përmenden emrat e bizneseve, emrat e zyrtarëve dhe shkeljet ligjore që kanë ndodhur gjatë këtij procesit të legalizimit. Siç e dini legalizimi është i rregulluar me ligjin në Kosovë, ndërkohë që objektet të cilat janë të legalizuara kanë deficite të ndryshme ligjore, duke filluar nga ato që një pjesë e tyre janë edhe në pronë publike. Pastaj kemi rastet e tjera ku objektet janë ndërtuar pas vitit 2018 kur ka hyrë në fuqi ligji për trajtimin e ndërtimeve pa leje”, deklaroi ai.
Sveçla tha se kanë vlerësuar të rëndësishme që materialet t’u bashkëngjiten hetuesve, të cilët sipas tij tashmë janë duke hetuar rastin pas kallëzimit penal të bërë nga LVV-ja më 30 korrik.
“Për këtë arsye ne kemi vlerësuar shumë të rëndësishme që lëndët si parashtresë t’i bashkëngjisim hetuesve të cilët tashmë janë duke hetuar rastin që ka ndodhur nga kallëzimi penal të cilin ne e kemi bërë me datën 30 korrik. Megjithatë, ky email përpos çështjes së legalizimeve përmban edhe një varg pretendimesh të tjera të cilat – sipas sinjalizuesit gjithmonë – kanë ndodhur në Komunën e Prishtinës e që kanë të bëjnë me shkelje të ndryshme ligjore, duke filluar nga transferet e shumave të mëdha që kanë ndodhur nga Kosova në Britani, në Angli, e për të cilat – sipas pretenduesit – autoritetet britanike tashmë i kanë filluar hetimet. E njëjta dëgjohet edhe për Prokurorinë e Shtetit të Kosovës, kjo mbetet juve që ta vërtetoni. Pas përfundimit të prononcimit ju do t’i keni edhe materialin, email-in të cilin ne e kemi pranuar”, tha Sveçla.
Ai tha se më 30 korrik është bërë kallëzimi penal, ndërsa më 3 gusht është bërë kërkesë për qasje në dokumente publike për dosjet e legalizimit.
“Duhet potencuar një gjë: me 30 korrik ne e kemi bërë kallëzimin penal. Me datë 3 gusht kemi bërë kërkesë për qasje në dokumente publike për dosjet e legalizimit. Në të njëjtën ditë, Përparim Rama këto dosje i ka marrë nga arkiva e legalizimit, nga Departamenti i Legalizimit i ka marrë në zyrën e vet. Kjo lehtë vërtetohet duke kërkuar nga punëtorët të cilët i kanë dorëzuar te Përparim Rama. Kjo gjë flitet edhe në email-in të cilin e kemi pranuar”, deklaroi ai.
Sipas Sveçlës, më 5 gusht, dy ditë pasi dosjet janë marrë nga arkiva e legalizimit, Rama ka mbajtur një mbledhje të mbyllur në objektet e Departamentit të Legalizimit.
“Ndërkohë që me datën 5, dy ditë pas pasi që i ka marrë këto dosje, zoti Rama në objektet e Departmentit të Legalizimit ka mbajtur një mbledhje të mbyllur ku ka qenë i pranishëm shefi i tij i kabinetit, Florend Maliqi, ka qenë e pranishme zyrtarja e cila i ka trajtuar këto lëndë të cilat janë problematike. Pra, mos të harrojmë, e njëjta zyrtare i ka trajtuar të katër lëndët të cilat dyshohet se janë të jashtëligjshme, ndërkohë që siç e kemi thënë aty janë mbi 20 punëtorë që mund ta bëjnë këtë punë”, tha ai.
Sveçla tha se të gjitha këto përmenden në email-in dhe materialet që kanë pranuar, duke shtuar se ende nuk i kanë parë dosjet e legalizimit.
“Të gjitha këto përmenden në email-in e materialet të cilat i kemi pranuar dhe mos të harrojmë ta potencojmë që ne akoma nuk i kemi parë dosjet. Ne i kemi marrë vetëm certifikatat e legalizimit. Akoma jemi në pritje të një përgjigje nga Agjencia për Privatësi sepse Komuna e Prishtinës ka refuzuar që të na japë këto dosje”, tha ai.
Ai tha se çështja e legalizimeve, sipas tij, nuk duhet parë ndaras nga qeverisja e Përparim Ramës në kryeqytet, duke përmendur projektin arkitekturortë kryeqytetit, raportin e auditimit për vitin 2025 dhe rastin e Ndërmarrjes Publike Banesore.
“Duhet thënë se kjo afera e legalizimeve nuk duhet parë ndarë nga paaftësia qeverisëse që ka instaluar Përparim Rama në kryeqytet. Ne e mbajmë mend shumë mirë projektin arkitekturor të kryeqytetit me vlerë 12 milionë, e për të cilin Prokuroria Speciale ka thënë që është duke u hetuar. Kanë kaluar dy vite, ne akoma nuk e dimë se ku ka përfunduar ky rast. Ne nuk mund ta ndajmë skandalin e legalizimeve nga raporti i auditimit i Zyrës Kombëtare të Auditorit për vitin 2025 ku përmenden keqpërdorime milionësh të buxhetit. Ne nuk mund ta ndajmë skandalin e legalizimeve as nga rasti i fundit me Ndërmarrjen Publike Banesore ku siç e dini 32 milionë euro është caktuar gjoba që duhet ta paguajë kjo ndërmarrje disa operatorëve ekonomikë privatë. Ndërkohë që ne e kemi parë Përparim Ramën i cili bën çdo ditë nga dy-tri statusi në rrjete sociale, por akoma nuk e ka thënë një fjalë të vetme për këtë çështje, për rastin e NPB-së. Ne po i afrohemi datës 1 kur punëtorëve duhet t’u dalin pagat e, siç e dimë, llogaritë e Ndërmarrjes Publike Banesore tashmë janë të bllokuara”, tha Sveçla.
Ai deklaroi se nuk mund të flitet më vetëm për keqmenaxhim, duke përdorur akuza ndaj qeverisjes së Prishtinës.
“Të gjitha këto na bëjnë me dije se tashmë ne nuk mund të flasim vetëm për keqmenaxhim. Sepse keqmenaxhimi është paaftësi e qeverisjes. Por kur keqmenaxhimit i shtohen edhe dëmet financiare, atëherë lirshëm mund të thoshim se po bëhet plaçkitje. Pra, Prishtina po plaçkitet. Po plaçkitet e sotshmja e Prishtinës duke i marrë mjetet financiare, duke i marrë paratë nga buxheti, dhe po plaçkitet edhe e ardhmja e qytetarëve për shkak të kushteve dhe cilësisë së jetës të cilën jemi duke zhvilluar”, tha ai.
Sveçla përmendi edhe gjendjen e pastrimit në kryeqytet, duke thënë se përgjegjësia për këtë, sipas tij, bie mbi Përparim Ramën dhe qeverisjen e tij.
“Ne e kemi parë se në çfarë gjendje është pastrimi, ne e kemi parë grumbullit e mbeturinave në çdo çosh. Prishtina është bërë e pajetueshme dhe për të gjitha këto adresa është Përparim Rama dhe qeverisja e tij”, deklaroi ai.
Ai tha se reagimet e fundit të Ramës në rrjetet sociale, sipas tij, kanë për qëllim largimin e vëmendjes nga çështja e legalizimeve.
“Këto ditë, dje dhe sot, i kemi parë reagimet e zotëri Ramës në rrjetet sociale. Reagime ad-hoc të cilat e kanë vetëm një qëllim: largimin e vëmendjes nga skandali i legalizimeve. Përparim Rama është në siklet. Ai tashmë po e ditë që rrethit i është ngushtuar dhe se duhet dhënë përgjegjësi për secilin veprim të tij”, tha Sveçla.
Ai tha se si asamblistë të LVV-së po kryejnë punën e tyre duke dorëzuar materialet që kanë pranuar, të cilat sipas tij përmendin edhe zyrtarë policorë.
“Ne si asamblistë të Lëvizjes Vetëvendosje po e kryejmë punën tonë. I kemi pranuar këto materiale të cilat po i dorëzojmë. Materialet duhet potencuar se përmendin edhe zyrtarë policorë të cilët i ndihmojnë zotëri Ramës në realizimin e qëllimeve të tij. Ne nuk po e drejtojmë gishtin e fajësisë, ne po kërkojmë hetim për këto raste”, deklaroi ai.
Sveçla tha se materialet, përveçse në Hetuesi, do t’i dërgojnë edhe në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.
“Prandaj, si asamblistë, përpos te Hetuesia, tashmë këto materiale do t’i dërgojmë edhe në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit sepse thellësia e skandaleve, e keqpërdorimeve, abuzimit që po ngjan në Komunën e Prishtinës është e paparë ndonjëherë dhe ka arritur nivele maksimale”, përfundoi Sveçla.
