Një grua dyshohet se është privuar nga jeta nga bashkëshorti i saj, në një rast që ka ndodhur më 26 gusht 2026, rreth orës 01:30 pas mesnatës, në Prizren.
Prokuroria Themelore në Prizren, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se bazuar në të dhënat fillestare të hetimit, i dyshuari B.D. dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj gruas së tij, duke e privuar nga jeta.
Sipas Prokurorisë, rasti ka ndodhur brenda familjes.
Pas pranimit të informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda, njësitet relevante të Policisë së Kosovës, ekipet e krim-teknikës dhe zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), me qëllim të zhvillimit dhe përfundimit të procedurave hetimore.
Me urdhër të prokurorit, trupi i viktimës është dërguar për obduksion në IML.
Me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari B.D. është ndaluar për 48 orë, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokuroria ka bërë të ditur se brenda afatit ligjor do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.
Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, është duke vazhduar hetimet për zbardhjen e motiveve dhe rrethanave të plota të ngjarjes.