Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, përmes një postimi në Facebook, ka theksuar se Policia e Kosovës është institucion i Republikës, dhe, siç tha ajo, duhet t’i nënshtrohet Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, e jo urdhrave politikë, nga kushdo qofshin ata.
Tutje, ajo i sugjeroi këtij institucioni, se “para se të na pengojnë qasjen në institucione, ju rekomandoj Policisë së Kosovës ta lexojë Ligjin Nr. 03/L-111 për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, konkretisht Nenin 11 – Qasja në institucionet publike”.
“Neni 11, pika 1, është shumë i qartë: “Kartela e identitetit e lëshuar për deputet garanton hyrje të lirë në të gjitha organet shtetërore dhe të administratës publike.” Ndërsa pika 2 përcakton se organet e administratës publike janë të obliguara të sigurojnë ndihmë për deputetin në përmbushjen e mandatit të tij”, ka shkruar deputetja.
Ajo shtoi se për 16 vjet në Kuvendin e Kosovës, ka punuar çdo ditë për një Polici profesionale, me integritet dhe dinjitet.
“Jo për një polici që i nënshtrohet urdhrave të cilitdo politikan apo partie politike. Ligji është mbi politikën. Kushtetuta është mbi çdo urdhër politik. Dhe këtë duhet ta dijë çdo zyrtar i Policisë së Kosovës”.