Francë: Shoferi futet me veturë në turmë, vdes një i ri

Prishtinë | 27 Gus 2026 | 09:49 | Nga Ekonomia Online

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin Caen të Francës, ku një 26-vjeçar dyshohet se ka hyrë qëllimisht me veturë në një turmë njerëzish.

Sipas policisë, nga goditja ka humbur jetën të paktën një person, ndërsa 10 të tjerë janë plagosur.

Katër prej të plagosurve ndodhen në gjendje të rëndë, ndërsa disa raportohet se janë në gjendje kritike.

Sipas raportimeve të mediave franceze, ngjarja dyshohet se lidhet me një përleshje që kishte ndodhur më herët të mërkurën në mbrëmje në një lokal pranë stacionit të trenit.

Pas përleshjes, njëri prej personave të përfshirë, i identifikuar si Ibrahim I., dyshohet se ka marrë një BMW të zezë dhe rreth orës 22:15 është përplasur qëllimisht me njerëzit që qëndronin në një stacion autobusi.

Viktimat janë të gjithë meshkuj, të moshave nga 17 deri rreth 40 vjeç. Sipas dëshmitarëve, personi që humbi jetën ishte një 18 ose 19-vjeçar nga Afganistani.

Ende nuk është e qartë nëse viktimat kishin lidhje me përleshjen apo ishin persona të rastësishëm.

Pas ngjarjes, i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes, por është arrestuar rreth 20 kilometra larg, në Ouistreham.

Autoritetet franceze kanë bërë të ditur se, bazuar në të dhënat e deritanishme, ngjarja nuk dyshohet të ketë prapavijë terroriste.

I dyshuari, i cili më herët ishte evidentuar vetëm për kundërvajtje në trafik, tashmë po hetohet për vrasje.

Të ngjashme