Alarm për bombë në disa institucione të Shqipërisë, reagon policia

Prishtinë | 27 Gus 2026 | 10:12 | Nga Ekonomia Online

Mëngjesin e sotëm, në adresat elektronike të disa institucioneve në disa qytete të Shqipërisë, është dërguar një e-mail nga një adresë ende e paidentifikuar, me përmbajtje kërcënuese dhe terroriste, në të cilin pretendohet se në këto institucione është vendosur një bombë.

Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni, strukturat e Policisë së Shtetit po kryejnë të gjitha verifikimet e nevojshme në institucionet e përfshira në këtë kërcënim. Nga kontrollet e kryera deri tani, nuk ka rezultuar të jetë vendosur bombë apo ndonjë lloj tjetër eksplozivi.

Ndërkohë, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Drejtorinë e Antiterrorit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, vijojnë punën intensive për identifikimin e autorit dhe të adresës elektronike nga e cila janë dërguar këto kërcënime, raporton A2CNN.

Policia e Shtetit siguron qytetarët se nuk ka vend për panik dhe se strukturat e saj janë të angazhuara maksimalisht për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive. 

Të ngjashme