Të shtunën mbahet Provimi i Maturës, afro 5 mijë kandidatë të aprovuar

Prishtinë | 27 Gus 2026 | 12:33 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka njoftuar se gjithsej 5 mijë e 33 kandidatë kanë aplikuar për Provimin e Maturës përmes platformës eKosova, ndërsa pas shqyrtimit dhe verifikimit janë aprovuar 4 mijë e 967 aplikime.

Provimi do të mbahet të shtunën, më 29 gusht 2026, duke filluar nga ora 10:00, në gjithsej 55 qendra të testimit.

Sipas njoftimit, të gjithë komisionarët dhe administruesit duhet të jenë në qendrat përkatëse një orë para fillimit të provimit, për të siguruar organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit.

“Kandidatët duhet të paraqiten në qendrën e testimit përcaktuar në listat përfundimtare dhe të kenë me vete dokumentin përkatës të identifikimit. Për garantimin e një procesi të rregullt, të sigurt dhe të barabartë për të gjithë kandidatët, kërkohet respektimi i plotë i udhëzimeve dhe rregullave të përcaktuara për administrimin e Provimit të Maturës”, thuhet në njoftimin në Facebook.

Të ngjashme