Ismaili-Ahmeti: Fashizmi nuk vdes me vdekjen e kriminelëve të luftës

Prishtinë | 27 Gus 2026 | 16:29 | Nga Ekonomia Online

Ish-deputetja e PDK-së, Besa Ismaili Ahmeti, ka reaguar për raportimet mbi vdekjen e mundshme të ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Srpska, Ratko Mladić, duke theksuar se vdekja e një krimineli lufte nuk nënkupton edhe fundin e ideologjisë dhe pasojave të krimeve të kryera.

Në një postim, Ismaili Ahmeti ka shkruar se, nëse konfirmohet vdekja e Mladićit, nuk duhet harruar se “fashizmi nuk përfundoi me të”, ndërsa ka vënë theksin te gjurmët që, sipas saj, krimet e luftës kanë lënë ende në Ballkan.

“Toka mund ta mbulojë trupin e tij, por vështirë se mund t’i mbulojë krimet që la pas”, ka shkruar ajo, duke e lidhur këtë me procesin e vazhdueshëm të gjetjes dhe identifikimit të mbetjeve mortore të viktimave të luftës.

Ish-deputetja ka vlerësuar se gjykimi dhe dënimi i Mladićit nga Tribunali i Hagës përbënin një hap drejt drejtësisë, por jo përmbushjen e plotë të saj ndaj viktimave.

Sipas saj, përgjegjësia historike për krimet e luftës mbetet një çështje e hapur, duke pretenduar se Serbia ende nuk e ka marrë përgjegjësinë që, sipas saj, u takon viktimave.

“Historia nuk harrohet sepse vdes një kriminel. Krimet mbeten. Viktimat mbeten. Kujtesa mbetet. Dhe drejtësia, sado vonë, ngadhënjen”, përfundon reagimi i Besa Ismaili Ahmetit.

Të ngjashme