Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka miratuar sot Katalogun Zyrtar të Teksteve Shkollore dhe ka ekzekutuar mjetet për subvencionimin e teksteve shkollore për nxënësit e klasave 1–9 për vitin shkollor 2026/2027.
Sipas MASh, mjetet janë transferuar në llogaritë bankare të prindërve dhe kujdestarëve ligjorë që kanë përfunduar procesin e aplikimit dhe verifikimit përmes platformës eKosova.
Subvencionimi për tekstet shkollore në gjuhën shqipe është përcaktuar sipas klasave:
Klasat 1 dhe 2: 60 euro
Klasa 3: 65 euro
Klasa 4: 70 euro
Klasa 5: 80 euro
Klasat 6 dhe 7: 90 euro
Klasat 8 dhe 9: 100 euro
Katalogu përcakton çmimet finale të shitjes për secilin tekst shkollor, ndërsa këto çmime janë të detyrueshme për të gjitha pikat e shitjes.
Me publikimin e katalogut, prindërit mund të fillojnë blerjen e teksteve shkollore. MASh u ka bërë thirrje që gjatë blerjes të kontrollojnë nëse çmimet përputhen me ato të përcaktuara në katalogun zyrtar.
Ndërkohë, Inspektorati i Arsimit ka nisur monitorimin intensiv të pikave të shitjes deri në fillimin e vitit të ri shkollor, ndërsa pas fillimit të mësimit do të kryhen verifikime edhe në shkolla për të parë nëse nxënësit janë pajisur me tekstet.