Ish-deputeti i Aleancës, Daut Haradinaj, ka kërkuar reagim urgjent nga institucionet për situatën në sektorin e qumështit, duke paralajmëruar se masat e ndërmarra po rrezikojnë prodhuesit vendorë dhe industrinë e qumështit në Kosovë.
Haradinaj ka thënë se sektori i qumështit është një nga shtyllat kryesore të bujqësisë dhe ekonomisë së vendit, ndërsa ka kërkuar politika që mbrojnë prodhuesit, fermerët dhe përpunuesit vendorë.
“Sektori i qumështit është një nga shtyllat kryesore të bujqësisë dhe ekonomisë së Kosovës. Çdo shtet serioz duhet ta mbrojë prodhuesin vendor, fermerin dhe përpunuesin, duke krijuar kushte për zhvillim dhe eksport, e jo duke marrë vendime që rrezikojnë mbijetesën e industrisë”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka theksuar se mbrojtja e konsumatorit dhe etiketimi korrekt janë të domosdoshme, por sipas tij, masat ndaj produkteve që plotësojnë standardet duhet të jenë proporcionale dhe të bazuara në ligj.
“Mbrojtja e konsumatorit dhe etiketimi korrekt janë të domosdoshme. Megjithatë, nëse produktet janë të deklaruara qartë dhe i plotësojnë standardet ligjore, masat duhet të jenë proporcionale dhe të bazuara në ligj”, ka deklaruar ai.
Sipas Haradinajt, prodhuesit vendorë aktualisht po përballen me vështirësi të mëdha, ndërsa institucionet dhe agjencitë përgjegjëse, sipas tij, nuk po ndërmarrin hapa konkretë për të ndihmuar sektorin.
“Sot, për fat të keq, prodhuesit vendorë po përballen me një situatë shumë të rëndë. Në vend që institucionet dhe agjencitë përgjegjëse të punojnë për t’i ndihmuar prodhuesit të gjejnë zgjidhje dhe të ruajnë prodhimin, ato po ndërmarrin masa që, sipas prodhuesve, po e paralizojnë industrinë e qumështit. Ndërkohë nuk po shihen hapa konkretë për të lehtësuar situatën apo për të mbështetur sektorin”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka paralajmëruar se pasojat e kësaj situate tashmë po ndihen në treg, duke përmendur mungesat e produkteve, ndalimin e linjave të prodhimit dhe vështirësitë e punëtorëve.
“Pasojat tashmë po ndihen, në shumë markete po krijohen mungesa të produkteve, linjat e prodhimit po ndalen, punëtorët mbeten pa punë efektive ndërsa shpenzimet fikse, pagat, energjia, kreditë dhe obligimet ndaj fermerëve po vazhdojnë çdo ditë. Kjo krijon dëme të mëdha ekonomike për kompanitë vendore”, ka thënë ai.
Haradinaj e ka cilësuar veçanërisht shqetësuese kohën kur po zbatohen këto masa, duke theksuar se muaji gusht përkon me kulmin e prodhimit dhe grumbullimit të qumështit.
“Është veçanërisht shqetësuese që këto masa po zbatohen në mesin e sezonit, gjatë muajit gusht, kur prodhimi dhe grumbullimi i qumështit janë në kulm. Vendime të tilla ndikojnë drejtpërdrejt në zinxhirin e furnizimit, dëmtojnë fermerët, përpunuesit dhe konsumatorët”, ka deklaruar Haradinaj.
Ai ka ngritur shqetësimin edhe për vështirësitë e prodhuesve vendorë për eksport, ndërsa ka kritikuar faktin që tregu i Kosovës, sipas tij, mbetet i hapur për import.
“Po ashtu, prodhuesit vazhdojnë të përballen me vështirësi për eksport, ndërsa tregu i Kosovës mbetet i hapur për import. Një shtet duhet të krijojë politika që forcojnë prodhimin vendor, hapin tregje të reja dhe mbrojnë investimet, jo politika që e dobësojnë industrinë e vet”, ka shkruar ai.
Haradinaj u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të zhvillojnë dialog me industrinë dhe të gjejnë zgjidhje për situatën.
“I bëj thirrje institucioneve përgjegjëse që të zhvillojnë dialog me industrinë, të gjejnë zgjidhje të qëndrueshme dhe të marrin vendime që mbrojnë njëkohësisht konsumatorin dhe prodhuesin vendor. Një industri e fortë e qumështit është në interes të gjithë Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.