Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka bërë të ditur se sot është nisur në mënyrë simbolike vjelja e rrushit të verës, duke shënuar fillimin e sezonit të ri të prodhimit.
Muharremaj ka thënë se kjo traditë e përvitshme përfaqëson punën e vreshtarëve dhe rëndësinë e prodhimit vendor.
“Sot, në mënyrë simbolike, e nisëm vjeljen e rrushit të verës, një traditë e bukur që çdo vit shënon fillimin e një sezoni të ri të prodhimit dhe i jep jetë punës së vreshtarëve tanë”, ka shkruar Muharremaj.
Ai ka bërë të ditur se ceremonia është zhvilluar në ambientet e AgroKosova Holding, ku së bashku me kryetarin e Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, drejtorin e AgroKosova Holding, Aziz Tafaj, dhe mysafirë të tjerë, ka ndarë këtë moment të veçantë.
“Në ambientet e AgroKosova Holding, së bashku me kryetarin e Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, drejtorin e AgroKosova Holding, Aziz Tafaj, dhe mysafirë të tjerë, ndamë këtë moment të veçantë që lidh tokën, punën, traditën dhe ekonominë vendore”, ka deklaruar ai.
Muharremaj ka theksuar rëndësinë e punës së vreshtarëve dhe prodhimit vendor, duke e lidhur suksesin ekonomik me punën dhe traditën.
“Nga vreshti nis rruga e verës dhe nga puna e njerëzve tanë lind suksesi. 🍇🍷”, ka shkruar Muharremaj.
Në fund, ai ka uruar që vjelja e këtij viti të jetë e mbarë dhe e begatë.
“E begatë dhe e mbarë qoftë vjelja e këtij viti”, ka shtuar Muharremaj.