Musmurati tregon arsyet e protestës së komunave më 1 shtator

Prishtinë | 28 Gus 2026 | 09:25 | Nga Ekonomia Online

Nënkryetarja e Kryeqytetit, Besianë Musmurati, ka bërë thirrje që më 1 shtator, në orën 11:00, qytetarët, zyrtarët, punëtorët dhe përfaqësuesit e komunave t’i bashkohen protestës para Qeverisë.

Sipas Musmuratit, protesta nuk lidhet vetëm me bllokimin e Kuvendit. Ajo ka thënë se komunat po përballen me një tendencë të vazhdueshme për centralizimin e kompetencave në nivelin qendror, duke e lidhur këtë drejtpërdrejt me qeverisjen e Albin Kurtit.

Si shembull konkret, nënkryetarja ka përmendur Rregulloren 07/2025 dhe mënyrën se si zhvillohet vlerësimi në proceset e punësimit në komuna.

“Paramendojeni, 60% e vlerësimit për me u punësu në komunë bëhet veç prej Ministrisë së Xhelal Sveçlës. Kjo nuk ka ndodhë kurrë më herët”, ka deklaruar Musmurati.

Ajo ka kritikuar edhe përmbajtjen e testeve me të cilat përballen aplikuesit, duke përmendur si shembull pyetjen “Sa këmbë i ka bleta?”.

Sipas saj, është komuna ajo që i njeh nevojat e veta dhe e di se çfarë profili të punëtorëve i nevojitet, prandaj vendimmarrja në këto procese nuk duhet të zhvendoset në nivelin qendror.

“Komuna e din çfarë punëtori i duhet, po Ministria e Brendshme vendos se kush duhet të punësohet. Kjo s’është veç burokraci. Kjo është tendencë me centralizu gjithçka”, ka theksuar Musmurati.

Nënkryetarja e Kryeqytetit ka ftuar të gjithë, pa dallim pozite apo funksioni, që më 1 shtator t’i bashkohen protestës.

“S’ka lidhje a je kryetar, asambleist, zyrtar, punëtor i komunës apo qytetar. Më 1 shtator, ju ftoj me dalë në protestën e komunave para Qeverisë”, ka thënë ajo.

Protesta do të mbahet më 1 shtator, në orën 11:00, ndërsa Musmurati ka theksuar se pjesëmarrja në të synon mbrojtjen e komunave, institucioneve lokale dhe kompetencave të tyre.

“Dalim në protestë për komunat tona, për institucionet tona dhe kundër një pushteti që po tenton me i marrë krejt kompetencat në një dorë”, ka përfunduar Musmurati.

Të ngjashme