Zjarret në Shqipëri, Ministria e Mbrojtjes: 22 vatra në 24 orë, 3 ende aktive

Prishtinë | 28 Gus 2026 | 09:46 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Mbrojtjes ka informuar se gjatë 24 orëve të fundit në territorin e vendit janë raportuar gjithsej 22 vatra zjarri, prej të cilave 3 mbeten aktive dhe 4 janë nën mbikëqyrje.

Në operacionet për shuarjen e flakëve janë angazhuar 288 forca operacionale, 21 automjete zjarrfikëse, si dhe 2 helikopterë të Forcave të Armatosura, të cilët kanë kryer 3 operacione ajrore, shkruan rtsh.al, transmeton klankosova.tv.

Ndër vatrat aktive, në Malin e Dajtit vijon puna për shuarjen e zjarrit në zonën mbi tunelet e Qafë Mollës, ku janë angazhuar 20 forca zjarrfikëse dhe të Administratës së Zonave të Mbrojtura, si dhe një helikopter i FA-së. Edhe sot forcat operacionale vazhdojnë punën në terren.

Në Vajkal të Bulqizës, flakët janë përhapur në një sipërfaqe me shkurre dhe dëllinja në terren shkëmbor; aty janë angazhuar 40 forca vendore dhe vullnetare, ndërsa për shkak të erës është aktivizuar edhe një helikopter i FA-së.

Operacioni është përforcuar me 20 efektivë të tjerë të Forcave të Armatosura dhe nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Sllatinë të Dibrës, zjarri vijon në një sipërfaqe pyjore me ah, ku janë angazhuar 46 forca bashkiake, të ADZM-së dhe vullnetarë, ndërsa për shkak të rrezikut të përhapjes drejt pyjeve me pisha operacioni është mbështetur edhe me një helikopter të FA-së.

Ndërkohë, 4 vatra të tjera mbahen nën mbikëqyrje në Qafë të Helmës dhe Arrmollë në qarkun Dibër, si dhe në malin e Dardhës dhe malin e Qukësit në qarkun Elbasan.

Situata në këto zona është nën kontroll ose e izoluar dhe nuk paraqet rrezik për zonat e banuara.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

Të ngjashme