Musliu kërkon vazhdimin e seancës konstituive: Kuvendi nuk është pronë e askujt

Prishtinë | 28 Gus 2026 | 11:19 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu bashkë me kolegët e saj nga partia, nga salla e Kuvendit kanë kërkuar vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke bërë thirrje që deputetët, pa dallim partie, të kthehen në Kuvend dhe ta përfundojnë procesin e konstituimit, raporton Ekonomia Online.

Musliu ka kritikuar situatën politike në vend, duke thënë se Kosova është “marrë peng” nga një parti që, sipas saj, i ka vendosur ambiciet për pushtet mbi mirëqenien e qytetarëve.

Ajo ka thënë se qytetarët presin zhvillimin e politikave për një shërbim më të mirë shëndetësor, punësim për të rinjtë dhe mbështetje për prindërit, bujqit, punëtorët dhe bizneset.

“Sot dua të flas për qytetarët që presin zhvillim të politikave për një shërbim më të mirë shëndetësor. Për prindërit që mezi e dalin muajin. Për të riun që kërkon një vend pune me meritokraci. Për bujkun, për punëtorin, për biznesmenin që lufton çdo ditë për ta mbajtur biznesin gjallë dhe me të drejtë pyesin: Çfarë po ndodh me vendin tonë? Dhe përgjigja është e thjeshtë dhe shumë e qartë.

Kosova është marrë peng dhe kjo është për turp. Kosova është marrë peng nga një parti e cila erdhi në pushtet me fjalë të mëdha. Kosova është marrë peng nga një parti e cila arriti që shpresën e qytetarëve për një jetë të mirëqenë ta keqpërdorë për ambiciet e veta për pushtet. Kosova është marrë peng nga një parti e cila veç mirëqenien e Kosovës nuk e ka në agjendën e saj. Dhe kjo parti e ka lënë vendin sot pa institucione.

Kjo parti po luan me besimin tuaj, qytetarë të dashur, dhe po luan me durimin e një populli që ka duruar më shumë se ç’duhet. Por çdo durim e ka edhe një fund.

Kosova nuk mund të presë më. Nuk mund të presë që politikanë të papërgjegjshëm të qendrojnë mbi ligj e kushtetutë, ndërkohë që jeta e qytetarëve po shënon regres në çdo ditë dhe në çdo sferë”, ka thënë ajo.

Sipas saj, Lëvizja Vetëvendosje po tregon haptazi se e ardhmja e popullit dhe e shtetit të Kosovës nuk është më prioritet për të.

“Partia e cila i fitoi zgjedhjet e kaluara po tregon haptazi se e ardhmja e popullit dhe e shtetit të Kosovës nuk është më prioritet për të. Kjo situatë është e papranueshme dhe e patolerueshme, sepse politika nuk guzon të shërbejë për të ushqyer ambicie personale. Politika duhet të vihet në shërbim të qytetarit dhe interesave shtetërore dhe kombëtare.

Prandaj sot, apeli im për të gjithë ata që kanë marrë mandat nga qytetarët, pa dallim partie, është: ejani në Kuvend. Ejani ta konstituojmë Kuvendin e ta fillojmë punën.

Kuvendi nuk është pronë e askujt. Kuvendi është i Kosovës dhe i qytetarëve të saj. Në këtë Kuvend është vota e prindërve që ëndërrojnë për të ardhmen e fëmijëve të tyre. Është vota e pensionistit që shpreson se angazhimi ynë do të koncentrohet në zhvillimin e politikave përkatëse. Është vota e mërgimtarit që ëndërron rritjen e standardit të atdheut të tij. Është vota e punëtorit, e mësuesit, e mjekut, e infermierit, e studentëve, zjarrfikësit, e bujkut, e fermerit e biznesmenit.

Në këtë Kuvend është edhe vota e ushtarit dhe e policit që e meshin uniformën çdo mëngjes dhe janë të gatshëm të sakrifikojnë jetën për sigurinë tonë dhe të vendit tonë”, tha Musliu.

Të ngjashme