Inspektorati i Mjedisit ka ndaluar punimet në shtatë gurthyes në Kosovë, ndërsa tre operatorë të tjerë janë gjobitur me gjithsej 7 mijë euro për shkelje të evidentuara gjatë inspektimeve.
Ministrja në detyrë e Mjedisit, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se masat janë ndërmarrë pas kontrolleve të zhvilluara në disa komuna të Kosovës, përfshirë Gjilanin, Hanin e Elezit, Shtimen, Suharekën, Mitrovicën, Vitisë, Lipjanin dhe Prishtinën.
Sipas saj, shtatë gurthyesve u janë ndaluar punimet pasi kanë operuar në kundërshtim me rregullat dhe kushtet e përcaktuara me ligj.
Ndërkohë, tre operatorë të tjerë janë gjobitur me 7 mijë euro, si pasojë e shkeljeve të konstatuara gjatë procesit të inspektimit.
Procesi i verifikimit të operatorëve të gurthyesve ka nisur në muajin mars. Në kuadër të këtij procesi, të gjithë operatorëve u është dhënë një afat prej 15 ditësh për të dëshmuar se veprimtaria e tyre është në përputhje me ligjin dhe kriteret mjedisore.
Rreth 200 gurthyes kanë dorëzuar dokumentacionin e kërkuar, i cili është shqyrtuar në muajin prill nga një komision i jashtëm i angazhuar nga Ministria.
Pas shqyrtimit të dokumentacionit, është konstatuar se një pjesë e konsiderueshme e operatorëve nuk i kanë përmbushur kriteret ligjore.
Sipas Pacollit, masat ndaj gurthyesve kanë vazhduar edhe gjatë muajit gusht.
Vetëm gjatë këtij muaji, punimet u janë ndaluar 16 gurthyesve, për shkak të mospërputhjes me kërkesat dhe standardet e përcaktuara.
Inspektorati i Mjedisit, ndërkaq, vazhdon kontrollet në terren dhe ka paralajmëruar se inspektimet do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim.
Institucionet kanë bërë të qartë se ndaj çdo operatori që vepron në kundërshtim me ligjin, ndot mjedisin ose nuk përmbush standardet e përcaktuara, do të ndërmerren masa ndëshkuese.
Pacolli ka theksuar se mbrojtja e mjedisit, tokës, ujit dhe ajrit mbetet një çështje që, sipas saj, nuk do të negociohet.
“Mbrojtja e mjedisit, tokës, ujit dhe ajrit është e pakompromis. Nuk do të lejojmë që përfitimi i askujt të vihet mbi shkatërrimin e mjedisit të Kosovës”, ka deklaruar ministrja në detyrë.
Inspektorati i Mjedisit pritet të vazhdojë kontrollet ndaj operatorëve të gurthyesve, ndërsa ndaj atyre që konstatohet se nuk respektojnë legjislacionin dhe standardet mjedisore do të ndërmerren masat përkatëse.