Kryeqyteti kërkon hetim të plotë për çështjen e Ndërmarrjes Publike Banesore dhe mbrojtjen e pronës publike

Prishtinë | 29 Gus 2026 | 15:57 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, së bashku me nënkryetarët Florian Dushi dhe Besiana Musmurati, kanë sqaruar para qytetarëve çështjen e Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB) dhe kontratës së lidhur në vitin 2021 me një kompani të themeluar vetëm një javë para shpalljes publike, në kuadër të një procesi që kishte qëndruar i hapur vetëm tri ditë.

Sipas dokumentacionit zyrtar, i gjithë procesi është iniciuar dhe zhvilluar gjatë vitit 2021, në kohën e qeverisjes së Vetëvendosjes në Prishtinë.

Kronologjia e vendimeve është si vijon:

Më 27 prill 2021 është marrë vendimi;
Më 17 maj 2021 është nënshkruar kontrata;
Më 16 gusht 2021 është lëshuar leja e ndërtimit;
Më 5 tetor 2021 është nënshkruar aneks-kontrata.
Qeverisja aktuale e Kryeqytetit nuk e ka iniciuar, negociuar apo nënshkruar këtë kontratë. Dokumentacioni përkatës përmban datat, nënshkrimet dhe emrat e personave përgjegjës për vendimet e marra në atë periudhë.

Gjatë këtij mandati, Kryeqyteti ka kërkuar vazhdimisht që kjo çështje të trajtohet dhe të zbardhet nga organet kompetente të drejtësisë, me qëllim të përcaktimit të përgjegjësive dhe mbrojtjes së pronës publike nga pasojat e vendimeve dhe procedurave të kontestuara.

Aktualisht, Ndërmarrja Publike Banesore rrezikon të ngarkohet me një detyrim prej mbi 32 milionë eurosh për fitimin e pretenduar të humbur nga një projekt që nuk është realizuar asnjëherë.

Për këtë arsye, Kryeqyteti kërkon të sqarohet në mënyrë të plotë se cili veprim konkret i NPB-së pretendohet se ka shkaktuar mosrealizimin e projektit dhe mbi çfarë baze juridike dhe faktike është përllogaritur kjo shumë.

Po ashtu, Kryeqyteti kërkon sqarime të plota lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës të datës 12 gusht për shpronësimin e parcelës në Lakrishte, në një kohë kur çështja vazhdon të jetë objekt i kontestit gjyqësor.

Kryeqyteti i bën thirrje Prokurorisë Speciale që të zhvillojë hetim të plotë dhe të paanshëm të të gjitha dokumenteve, vendimeve dhe nënshkrimeve që lidhen me këtë proces, si dhe të përcaktojë përgjegjësitë individuale dhe institucionale.

Qëndrimi i Kryeqytetit është i qartë: qeverisja aktuale nuk e ka nënshkruar këtë kontratë dhe nuk e ka krijuar këtë problem. Megjithatë, do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme institucionale dhe ligjore për mbrojtjen e pronës publike dhe interesit të qytetarëve të Prishtinës.

Pronën publike do ta mbrojmë deri në fund.

Të ngjashme