Grupi i Asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë ka mbajtur konferencë për media, ku ka reaguar ndaj deklarimeve të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, lidhur me gjendjen në Ndërmarrjen Publike Banesore (NPB), raporton Ekonomia Online.
Egzon Azemi nga LVV ka akuzuar Ramën se në konferencën e një dite më parë është përpjekur që përgjegjësinë për situatën në NPB t’ia atribuojë Lëvizjes Vetëvendosje dhe qeverisjes.
Azemi tha se LVV-ja ka paralajmëruar dhe kundërshtuar ndër vite zhvillimet që, sipas tij, e kanë çuar NPB-në në gjendjen aktuale.
“E kemi thirrur këtë konferencë sekundare ndaj gënjeshtrave dhe të pacipa të kryetarit Rama të mbajtura dje në konferencën për media që ftuan zoti Rama dhe dy nënkryetarët e komunës. Komuna e Prishtinës e drejtuar nga Përparim Rama dje bashkë me Besian Musmuratin dhe Florian Dushin u përpoqën t’ia shpallin fajtorin Lëvizjes Vetëvendosje dhe qeverisjes për gjendjen në Ndërmarrjen Publike Banesore. Kjo ndodh kur vetëbesimi rritet artificialisht, mandej edhe gënjejnë pa pikë turpi. Sepse dihet qartë që Lëvizja Vetëvendosje e ka kundërshtuar këtë proces që nga dita e parë. E për këtë kemi një numër të madh të dëshmive të cilat po i publikojmë këtu para jush”, tha Azemi.
Ai u ndal te veprimet e LVV-së që nga viti 2018, duke thënë se kjo parti kishte paralajmëruar për rrezikun që i kanosej ndërmarrjes.
“Që nga viti 2018 kemi paralajmëruar se drejtorët e shpenzimeve po falsifikojnë dokumente dhe Ndërmarrja Publike Banesore është në rrezik. Pra është e vetmja Lëvizja Vetëvendosje e cila ka reaguar vazhdimisht për rrezikun që po i kanoset Ndërmarrjes Publike Banesore. Më 25 qershor prapë të vitit 2018 kemi deklaruar se nuk do të lejojmë rikthimin e NPB-së buzë falimentimit dhe në shërbim të interesave personale ashtu siç ndodhi vite më vonë”, deklaroi ai.
Sipas Azemit, LVV-ja kishte reaguar edhe në vitin 2021 lidhur me projektin në Lakrishtë dhe kishte kërkuar që çështja e NPB-së të diskutohej në Kuvendin Komunal të Prishtinës.
“Në vitin 2021 përsëri është Lëvizja Vetëvendosje e para dhe e vetmja që ka reaguar kundër projektit kriminal që tentohej të zhvillohej në Lakrishtë dhe kemi thirrur konferencë më 26 qershor të vitit 2021. Përsëri më 22 tetor të vitit 2021 ju kemi kërkuar të gjitha subjekteve politike ta fusim në rend dite dhe të diskutojmë për Ndërmarrjen Publike Banesore sepse po i kanosej rreziku i tjetërsimit të pronës. Asnjë subjekt politik nuk na ka mundësuar që ta votojmë këtë pikë dhe të diskutohet në Kuvendin Komunal i cili është pronarja e Ndërmarrjes Publike, pra për godinën e Ndërmarrjes Publike. Pra po e përsëris, asnjë subjekt politik nuk ka votuar që të diskutohet, se lëre më të veprohet diçka tjetër, për Ndërmarrjen Publike në Kuvendin Komunal”, tha Azemi.
Ai përmendi edhe reagimet dhe veprimet e tjera të LVV-së ndër vite, përfshirë paditë dhe kërkesat për hetim.
“Kemi vazhduar me konferenca në tetor të vitit 2021 në paralajmërime për padi, mandej edhe na kanë paditur për shpifje Ndërmarrja Publike Banesore. Kemi dorëzuar padi më 8 gusht të vitit 2022, kemi reaguar përsëri dhe i kemi kërkuar Komunës së Prishtinës të jetë më aktive në vitin 2023 për rastin e NPB-së. Kemi bë edhe reagime të shumta ku kemi shkuar vetë në vendngjarje dhe e kemi ftuar policinë siç ju kujtohet rasti i rrënimit të azbestit, është përsëri e vetmja Lëvizja Vetëvendosje e cila ka reaguar”, u shpreh ai.
Azemi tha se për vite me radhë LVV-ja kishte kërkuar që çështja e NPB-së të trajtohej në Kuvendin Komunal, por pretendoi se ishte bllokuar nga partitë e tjera.
“Kemi paralajmëruar publikisht për dëmin që mund t’i shkaktohet NPB-së, kemi mbajtur dhjetëra konferenca e dhjetëra prononcime për këtë skandal, por për vite të tëra pothuajse në çdo seancë që kemi kërkuar ta fusim si temë në Kuvendin Komunal, jemi bllokuar nga PDK, AAK dhe LDK. Kemi kërkuar përgjegjësi institucionale dhe hetim, kemi bërë kallëzim penal lidhur me veprimet e mëvonshme të bordit të atëhershëm, kemi ngritur padi, nuk kemi lënë derë pa trokitur, vetëm ne, vetëm Lëvizja Vetëvendosje”, tha ai.
Sipas tij, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, pavarësisht se është në krye të komunës prej gati pesë vitesh, nuk ka ndërmarrë veprime të mjaftueshme për mbrojtjen e NPB-së.
“Këtë e dinë të gjithë punëtorët e NPB-së, e dinë po të gjithë banorët e lagjes Lakrishtë dhe jo vetëm. Ndërkohë Përparim Rama është kryetar i Prishtinës prej gati pesë vitesh. Mirëpo, ky proces gjyqësor ka vazhduar dhe zoti Rama e gjithë Komuna e Prishtinës nuk i kemi parë të interesohen siç duhet për këtë çështje. Çfarë ka bërë Përparim Rama për ta mbrojtur NPB-në? Asnjë veprim të vetëm”, deklaroi Azemi.
Ai kritikoi veçanërisht Komunën e Prishtinës për mungesën, sipas tij, të përfaqësuesit ligjor në një seancë gjyqësore ku po shqyrtoheshin provat.
“Në një proces ku sot flitet për 32 milionë euro që tashmë sipas vendimit të shkallës së dytë Ndërmarrja Publike i ka obligim ndaj operatorëve privat, Komuna nuk e ka dërguar përfaqësuesin e vet ligjor në seancën ku po shqyrtoheshin provat dhe ku u dha fjala përfundimtare. Kjo pra është hipokrizia dhe këto janë gënjeshtrat e Përparim Ramës të pacipa. Në vend se të krijojnë një ekip të fuqishëm i cili do të bënte mbrojtjen e interesit publik, madje mungoi edhe përfaqësuesi ligjor i Komunës pra në këtë seancë”, tha ai.
Në konferencë, Azemi akuzoi edhe PDK-në për rol në udhëheqjen e NPB-së dhe në proceset që kanë çuar, sipas tij, në dëmin financiar ndaj ndërmarrjes.
“Për më shumë se katër vjet PDK ka pasur rol vendimtar në udhëheqjen e NPB-së e cila sot me gjasa po udhëheq edhe Përparim Ramën. PDK-ja i ka pasur dhe vazhdon t’i ketë aksionerët në NPB, PDK-ja e ka emëruar bordin e NPB-së, PDK-ja e ka emëruar kryeshefin, PDK-ja përmes deputetëve të saj është përfshirë në organizimin e mbrojtjes ligjore, kënse mbrojtjes në këtë kontekst, sepse avokati që e ka përfaqësuar NPB-në është avokati i grupit parlamentar të NPB-së, pra lidhja dihet fare e qartë. Dhe pikërisht ky avokat nuk e ka kundërshtuar caktimin e ekspertizës financiare që rezultoi me këtë dëm 32 milionësh”, u shpreh Azemi.
Ai tha se, sipas tij, përgjegjësia për gjendjen aktuale është e qartë dhe përsëriti se LVV-ja kishte kundërshtuar marrëveshjen që e konsideron të dëmshme.
“Pra kronologjia është totalisht e qartë, Vetëvendosje me vite të tëra paralajmëroi, denoncoi, paditi, kërkoi debat, mirëpo u bllokuam vazhdimisht. Vetëm Lëvizja Vetëvendosje e kundërshtoi këtë marrëveshje të dëmshme e të dyshimtë dhe Përparim Rama nuk kishte bërë dhe nuk ka bërë ende sot e kësaj dite asnjë veprim të vetëm. Komuna nuk e dërgoi as pasuesin ligjor, ndërsa avokati i PDK-së në rolin e mbrojtësit të NPB-së nuk e kontestoi ekspertizën financiare. Sot ky dëm po i kushton ndërmarrjes afër 33 milionë euro”, deklaroi ai.
Azemi tha se përplasjet politike po bëhen në dëm të qytetarëve dhe punëtorëve të NPB-së.
“Dhe edhe një herë po dëshmohet se kur bëhet fjalë për interesa të ngushta, këta bëhen bashkë sepse në realitet janë bashkë. E çmimin përsëri po e paguan qyteti, po e paguan ndërmarrja, punëtorët e asaj ndërmarrje që po u rrezikohen edhe pagat e tyre e sigurisht edhe jetëgjatësia e kësaj ndërmarrje publike”, shtoi Azemi.
Çlirim Gërbeshi, asamblist i LVV-së në komunën e Prishtinës pati akuza ndaj PDK-së dhe LDK-së.
“Siç e tha edhe Egzoni, përmes një konference të kryetarit Përparim Rama u thanë shumë të pavërteta në lidhje me Ndërmarrjen Publike Banesore. Në këtë konferencë u sulmua vazhdimisht Lëvizja Vetëvendosje për gjendjen në të cilën sot ndodhet kjo ndërmarrje. Mirëpo çdo qytetar i Prishtinës, si dhe ato që i tha Egzoni, shumë mirë e dinë se Lëvizja Vetëvendosje përmes asamblistëve të saj që nga viti 2018 e ka ngritur këtë çështje dhe këtë shqetësim. E siç e dimë të gjithë, prej vitit 2018 Shpend Ahmeti nuk është pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje. E Shpendi bashkë me PDK-në e LDK-në e kanë çuar këtë ndërmarrje drejt falimentimit, kurse sot tek po flasim, me këtë ndërmarrje udhëheq Partia Demokratike e Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje ka qenë gjithmonë në mbrojtje të secilës ndërmarrje, parasë së qytetarit e secilës pronë publike. Nuk ka pasur dhe asnjëherë nuk do të ketë kompromis me këto tema.
Duhet me u theksuar ajo që përmendi Egzoni, që avokati i cili ka qenë për ta mbrojtur NPB-në është avokati i grupit parlamentar të PDK-së. Dhe ky avokat nuk e ka kundërshtuar përcaktimin e ekspertizës financiare që ka rezultuar me mbi 32 milionë euro obligime për Ndërmarrjen Publike Banesore.
As PDK-ja e as Përparim Rama nuk kanë qenë të interesuar të merren me këtë çështje. Ndoshta nuk kanë pasur shumë edhe kohë për shkak se, siç e keni parë në shumë biseda, Përparim Rama ka qenë duke u marrë me legalizime e me transfera parash”, tha ai.

