Sulm me thikë në stacionin e trenit në Gjermani, vdes 31-vjeçarja britanike

Prishtinë | 30 Gus 2026 | 14:10 | Nga Ekonomia Online

Një grua 31-vjeçare nga Britania e Madhe ka vdekur pasi u godit me thikë në një stacion treni në Rosenheim të Bavarisë, në orët e para të mëngjesit të së dielës.

Sipas policisë bavareze, sulmi ndodhi pak para orës 01:00, ndërsa 31-vjeçarja u dërgua në spital me plagë të rënda, ku më pas vdiq.

Policia ka arrestuar në vendngjarje një 27-vjeçar gjerman, menjëherë pas incidentit, shkruan BBC.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe motivin e sulmit.

Policia u ka bërë thirrje dëshmitarëve që kanë parë ndonjë debat apo përleshje fizike në stacion gjatë natës së së shtunës ose në orët e para të së dielës, që të kontaktojnë autoritetet.

Rosenheimi është një nga qendrat kryesore hekurudhore në Bavarinë e Epërme dhe një pikë e rëndësishme për udhëtarët drejt qyteteve austriake si Vjena, Salzburgu dhe Innsbrucku.

Të ngjashme