Vozitën me shpejtësi marramendëse në Gjakovë-Klinë, u merret leja 4 shoferëve

Prishtinë | 31 Gus 2026 | 14:41 | Nga Ekonomia Online

Katër shoferë janë kapur duke vozitur me shpejtësi të lartë në fshatin Vraniq të Gjakovës, në segmentin rrugor Gjakovë-Klinë, ku kufizimi është 60 km/h.

Gjatë kontrollit të zhvilluar dje, Policia thotë se ka identifikuar dy shoferë që po qarkullonin me 188 dhe 162 km/h, ndërsa dy të tjerë me 135 dhe 123 km/h.

Për dy rastet e para janë shqiptuar nga 500 euro gjobë, 5 pikë negative dhe ndalim i drejtimit të automjetit për gjashtë muaj.

Ndërsa dy shoferët e tjerë janë gjobitur me nga 300 euro, 3 pikë negative dhe ndalim të drejtimit për tre muaj.

“Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, apelon te të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë kufizimet e shpejtësisë dhe rregullat e komunikacionit, duke pasur parasysh se tejkalimi i shpejtësisë së lejuar rrezikon sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve në trafik”.

Të ngjashme