Vdekja e 37-vjeçares shtatzënë, MSh: Nëse ka parregullsi, do të merren masa

Prishtinë | 31 Gus 2026 | 21:13 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Shqipëri ka reaguar lidhur me humbjen e jetës së 37-vjeçares shtatzënë nga Pogradeci, Marjana Karolina Bunaj.

Ajo vdiq teksa po transportohej drejt Tiranës për ndihmë të specializuar mjekësore.

Përmes një reagimi zyrtar, kjo ministri shpreh keqardhje për ngjarjen dhe thotë se po ndiqen dhe verifikohen të gjithë hapat që lidhen me trajtimin dhe menaxhimin e këtij rasti tragjik.

Ministria thekson se çdo gjetje do të analizohet me seriozitetin maksimal dhe, nëse evidentohen parregullsi apo mangësi, do të merren të gjitha masat e nevojshme, në përputhje me ligjin dhe standardet profesionale.

“Ministria ka kërkuar kryerjen e një vlerësimi të plotë dhe të pavarur të menaxhimit të rastit, me qëllim vlerësimin profesional dhe të paanshëm të të gjithë procesit të kujdesit shëndetësor, nga paraqitja e pacientes deri në përfundimin e trajtimit. Angazhimi ynë është i plotë për të garantuar transparencë dhe përgjegjshmëri. Çdo gjetje mbi vlerësimin e menaxhimit të rastit do të analizohet me seriozitetin maksimal dhe, nëse evidentohen parregullsi apo mangësi në ndjekjen e rastit, do të merren të gjitha masat e nevojshme, në përputhje me ligjin dhe standardet profesionale. Siguria e nënës dhe garantimi i kujdesit obstetrikal në kohë, me cilësi dhe në përputhje me standardet e përcaktuara, janë përgjegjësi të panegociueshme të sistemit shëndetësor”, thuhet në reagimin e ministrisë.

Të ngjashme