Një 42-vjeçar është arrestuar në flagrancë në aeroportin e Rinasit, pasi dyshohet se tentoi të trafikonte një armë zjarri nga Shqipëria drejt Mbretërisë së Bashkuar.
Rasti është goditur nga shërbimet e Policisë Kufitare të Pikës së Kalimit Kufitar Rinas, në bashkëpunim me shërbimet e sigurisë në aeroport, në kuadër të intensifikimit të kontrolleve për shkak të fluksit të lartë të udhëtarëve, shkruan rtsh.al, transmeton klankosova.tv.
Sipas Policisë, kontrollet janë kryer bazuar në analizën e riskut dhe informacionet e inteligjencës policore. Gjatë kontrollit me skaner të bagazheve të një shtetasi shqiptar, me nënshtetësi britanike, i identifikuar me inicialet S. K., 42 vjeç, banues në Angli, është zbuluar një armë zjarri pistoletë së bashku me municion luftarak.
Arma dhe municioni janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërsa 42-vjeçari është arrestuar në flagrancë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”.