Një anije mallrash turke me 10 anëtarë të ekuipazhit është fundosur të mërkurën në Detin e Marmarasë, pas përplasjes me një tanker pranë Stambollit.
Drejtoria e Përgjithshme e Çështjeve Detare të Turqisë bëri të ditur se nga anija Tugberk Imamoglu janë gjetur një varkë shpëtimi dhe mbetje të tjera, por deri tani nuk ka asnjë gjurmë të ekuipazhit.
Ministri i Transportit, Abdulkadir Uraloğlu, tha se në bord ndodheshin 10 persona, përfshirë kapitenin, të gjithë shtetas turq. Sipas tij, anija u fundos shumë shpejt, brenda vetëm 11 minutash, raporton Associated Press.
Në operacionin e kërkim-shpëtimit janë angazhuar dy helikopterë dhe 12 mjete detare.
Përplasja ndodhi rreth orës 03:00, kur Tugberk Imamoglu, e cila transportonte çelik të mbështjellë, u përplas me cisternën Alsu, rreth 32 kilometra në jug të Silivrit.
Autoritetet thanë se alarmi i emergjencës nga anija u pranua pas përplasjes, ndërsa mjeti i parë i shpëtimit arriti në vendngjarje në orën 04:10.
Ngjarja ka ndodhur në një prej korridoreve detare më të frekuentuara në botë, ku përmes ngushticave të Bosforit dhe Dardaneleve kalojnë çdo vit qindra mijëra anije mes Detit të Zi dhe Mesdheut.