BE dhe NATO zotohen të shtojnë presionin ndaj Rusisë

Prishtinë | 03 Sht 2026 | 08:27 | Nga Ekonomia Online

Bashkimi Evropian dhe NATO kanë paralajmëruar se do të shtojnë presionin ndaj Rusisë, pas asaj që autoritetet gjermane e kanë cilësuar si një “përshkallëzim të ri” në territorin evropian.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se incidentet në aeroportin e Leipzigut përbëjnë një zhvillim serioz dhe të drejtpërdrejtë të lidhur me Rusinë, raporton BBC.

“Leipzigu shënon një përshkallëzim të ri në territorin e Bashkimit Evropian, që i atribuohet drejtpërdrejt Rusisë”, tha von der Leyen.

Një ditë më parë, qeveria gjermane deklaroi se hetimet policore dhe informacionet e shërbimeve inteligjente kishin arritur në përfundimin se Rusia qëndronte pas një tentative për sulm me dron në aeroportin Leipzig/Halle.

Edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, shprehu mbështetjen e aleancës për Gjermaninë.

“NATO qëndron në solidaritet të plotë me Gjermaninë”, tha Rutte, duke paralajmëruar se aleanca duhet t’i përgjigjet asaj që po konsiderohet si një “normalitet i ri” në sjelljen e Rusisë.

Sipas autoriteteve gjermane, më 4 gusht një dron i pajisur me eksploziv dyshohet se kishte synuar një avion ukrainas të transportit të mallrave në aeroportin Leipzig/Halle.

Droni u çaktivizua nga një robot i posaçëm, ndërsa një dron i dytë dyshohet se u përplas me një tjetër avion transporti.

Rreth 10 ditë më vonë, në aeroport u gjet edhe një dron i tretë.

Aeroporti Leipzig/Halle ka rëndësi strategjike për NATO-n dhe përdoret rregullisht nga avionët ukrainas të transportit të kompanisë Antonov.

Megjithatë, autoritetet gjermane nuk e bënë publike menjëherë përfundimin e hetimeve. Vetëm të martën qeveria deklaroi se provat e mbledhura nga policia dhe shërbimet e inteligjencës tregonin se Rusia ishte përgjegjëse për incidentet.

Rusia ka mohuar akuzat se ka synuar avionin ukrainas me një dron të mbushur me eksplozivë.

Në përgjigje të sanksioneve të reja të vendosura nga Gjermania, Moska ka njoftuar gjithashtu se do të mbyllë qendrat kulturore të Institutit Goethe në Rusi.

Të ngjashme