Hetuesit gjermanë kanë zbuluar detaje të reja për tentativën për sulm me dron ndaj një avioni ukrainas të transportit në aeroportin e Leipzigut, ndërsa gjurmët kryesore çojnë drejtpërdrejt në Serbi, shkruan e përjavshmja gjermane Spiegel, duke iu referuar burimeve nga qarqet e sigurisë atje.
Njëri prej të dyshuarve për sulmin në Leipzig është i lidhur me një burrë që u arrestua në qershor në Serbi për posedim të eksplozivëve. Sipas Spiegel, policia serbe ndaloi më 11 qershor, pranë kufirit me Hungarinë, dy automjete që po udhëtonin drejt Bashkimit Evropian. Në to ndodheshin Danilo B., i cili ka shtetësi serbe dhe ruse, si dhe shtetasi serb Slobodan D.
Policët në automjetin e parë gjetën pjesë të një droni të modifikuar dhe qarqe kontrolli, ndërsa në automjetin e dytë, në një ndarje të fshehtë, zbuluan konserva të mbushura me eksploziv. Të dy burrat ndodhen që nga qershori në paraburgim, ndërsa autoritetet gjermane tani po verifikojnë lidhjen e tyre të drejtpërdrejtë me të dyshuarit për aksionin në Leipzig – një bjellorus dhe një person me shtetësi të dyfishtë ruse dhe letoneze.
Përveç kësaj, hetuesit kanë rindërtuar lëvizjet e të dyshuarve dhe kanë zbuluar se njëri prej tyre, pas operacionit, është arratisur drejt Rusisë pikërisht përmes Serbisë dhe Stambollit. Shërbimet evropiane të inteligjencës, për shkak të kësaj, e cilësojnë Serbinë si një “pikë të nxehtë” për sabotazhet ruse në të gjithë Evropën, duke pretenduar se shërbimet ruse atje rekrutojnë dhe trajnojnë operativë për aksione në terren.
Hetuesve menjëherë u ra në sy metoda identike e përgatitjes së pajisjes. Në Leipzig, rreth 600 gramë eksploziv plastik jashtëzakonisht të fuqishëm, Semtex, i cili përdoret edhe nga ushtria, ishte vendosur në një kuti metalike të lidhur me mjetin fluturues, saktësisht njësoj si në konservat e sekuestruara në kufirin serb.
Sulmi në Leipzig ndodhi më 4 gusht dhe vetëm falë një sërë rrethanash u shmang një katastrofë. Një dron me eksploziv fluturoi drejt avionëve ukrainas të transportit, të tipit Antonov, të parkuar në aeroport dhe goditi pikërisht krahun e njërit prej avionëve, por pajisja shpërthyese nuk detonoi për shkak të një defekti në mekanizmin e ndezjes.
Avioni në të cilin u përplas droni kishte rezervuarët e karburantit plot, ndërsa vetëm një ditë më parë kishte transportuar ndihmë ushtarake dhe municion për Ukrainën.
Aeroporti Leipzig/Halle është një nyje e rëndësishme logjistike për operacionet e NATO-s dhe dërgimin e armëve në Kiev. Hetuesit kanë konstatuar se droni i rrëzuar ishte modifikuar rëndë: kishte një bateri shtesë për të rritur rrezen e fluturimit, një kamerë, një ruter 5G dhe dy karta SIM. Ai nuk kishte drita të jashtme dhe mund të kontrollohej nga një distancë e madhe përmes rrjetit celular.
Në një pemë aty pranë u gjet edhe një antenë e posaçme, e cila shërbente si përforcues i sinjalit.
Një kthesë në hetim sollën gjurmët e ADN-së të izoluara nga droni, antena dhe kutia metalike në të cilën ndodhej Semtex-i. Këto gjurmë përputheshin përmes bazave të të dhënave në Lituani dhe Finlandë.
Hetuesit e lidhin njërin prej të dyshuarve edhe me një akt të mëparshëm sabotazhi në qytetin polak Łódź, ku në korrik të vitit 2024 u shkaktua një zjarr i qëllimshëm në një dyqan të madh të materialeve ndërtimore të kompanisë Leroy Merlin. Edhe pse fillimisht u mendua se zjarri ishte shkaktuar nga insekticidet, prokuroria polake më vonë vërtetoi se bëhej fjalë për një akt sabotazhi rus.
Sipas vlerësimeve të inteligjencës së disa shërbimeve evropiane, aktualisht në territorin e Bashkimit Evropian janë aktive të paktën katër rrjete sabotatorësh nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Moskës. Policia po verifikon gjithashtu nëse në operacionin në Leipzig kanë marrë pjesë edhe mjete të tjera fluturuese.
Kjo pasi, po atë natë, një avion transportues i DHL-së, gjatë uljes, u përplas me një objekt fluturues të panjohur.
Për shkak të gjithë rastit, ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, deklaroi publikisht se pas sulmit qëndrojnë drejtpërdrejt strukturat shtetërore ruse.
Si masë hakmarrëse, Berlini urdhëroi mbylljen e konsullatës ruse në Bon dhe dëbimin e stafit të saj, si dhe ndërpreu marrëveshjen me Shtëpinë Ruse në Berlin.
Moska u kundërpërgjigj duke pretenduar se bëhet fjalë për një proces të montuar dhe provokim, ndërsa mbylli institutet gjermane Goethe dhe konsullatën gjermane në Shën Petersburg. /index.hr