Varka me 127 migrantë gjendet pranë ishujve spanjollë, raportohen 83 viktima

Prishtinë | 03 Sht 2026 | 18:48 | Nga Ekonomia Online

Dhjetëra persona dyshohet se kanë vdekur pasi një varkë me migrantë, e cila ishte nisur nga Gambia muajin e kaluar, u gjet duke lundruar pa kontroll në ujërat pranë Ishujve Kanarie të Spanjës, të mërkurën në mbrëmje.

Helena Maleno, drejtuesja e OJQ-së spanjolle Caminando Fronteras (Walking Borders), tha se 83 nga 127 personat që ndodheshin në bord kanë vdekur. Mes viktimave janë edhe katër gra dhe një foshnjë. Sipas saj, migrantët ishin nisur nga Gambia 27 ditë më parë, shkruan CNN, transmeton klankosova.tv.

Shoqata Spanjolle për Sigurinë dhe Shpëtimin Detar, e njohur si SASEMAR, tha për CNN se të mërkurën në mbrëmje kishte shpëtuar një varkë të improvizuar, e cila ndodhej rreth 65 milje detare në jugperëndim të Arguineguín, në jug të Gran Canarias.

Nga varka u shpëtuan 44 persona, përfshirë tre që ishin në gjendje kritike dhe u transportuan me helikopter në një spital lokal.

SASEMAR tha se nuk kishte mundur të nxirrte trupat e pesë personave të tjerë, për shkak se kushtet e pafavorshme atmosferike e kishin vështirësuar operacionin.

Të ngjashme