Të paktën dy persona kanë humbur jetën pas një shpërthimi të fuqishëm në një kazermë ushtarake në Bolivi, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar se numri i viktimave mund të jetë më i lartë.
Ministri bolivian i Mbrojtjes, Ernesto Justiniano, tha se të paktën 81 persona janë lënduar pasi në kazermën ku ishte vendosur një regjiment artilerie shpërtheu material piroteknik.
Sipas zyrtares shëndetësore Rita Nebraska, besohet se 10 deri në 15 persona mund të kenë humbur jetën nga shpërthimi në qytetin Viacha, rreth 30 kilometra larg La Pazit.
Policia njoftoi se dhjetëra banesa janë dëmtuar nga shpërthimi, ndërsa ekipet e emergjencave po kërkojnë në rrënoja për persona të mbijetuar, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.
Autoritetet kanë paralajmëruar gjithashtu për mundësinë e një tjetër shpërthimi dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë të paktën 150 metra larg bazës ushtarake.
Presidenti i Bolivisë, Rodrigo Paz, shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave dhe solidaritetin me të gjithë të lënduarit. Ai deklaroi se do të zhvillohet një hetim “i plotë, teknik dhe transparent” për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.
Zëdhënësi i policisë, Roger Roca, tha se në kazermë ishin të magazinuara fishekzjarre, ndërsa shkaku i saktë i shpërthimit ende po hetohet.
Autoritetet e Viachas kanë shpallur tre ditë zie pas tragjedisë.