UBT shënon 25-vjetorin me ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së 23-të, Hajrizi: Pas secilës diplomë ka një histori

Prishtinë | 05 Sht 2026 | 10:35 | Nga Ekonomia Online

Universiteti për Biznes dhe Teknologji (UBT) ka organizuar ceremoninë solemne të gradimit të gjeneratës së 23-të të studentëve, në një ngjarje që këtë vit merr një rëndësi të veçantë për shkak të shënimit të 25-vjetorit të themelimit të institucionit, raporton Ekonomia Online.

Ceremonia ka filluar duke nderuar himbin kombëtar, atë shtetëror dhe himnin e studentit.

Kjo ngjarje shënon një moment të rëndësishëm në rrugëtimin akademik të mijëra studentëve që kanë përfunduar studimet në UBT, duke mbledhur bashkë të diplomuarit, familjet e tyre, profesorët, komunitetin akademik dhe partnerët e institucionit.

Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi ka thënë se pas secilës diplomë ka edhe një histori, duke shtuar se ekziston diçka që sot është vetëm e absolvetëntëve dhe që askush nuk mund t’iu marrë e që është dija.

“Është e lehtë të shohësh rezultatin, sepse është një event që konfirmon që ju i keni plotësuar të gjitha kriteret për të ardhur në ditën që sot e festojmë së bashku, dhe diplomat që do t’i merrni, dhe emrin e UBT-së që prej sot do ta mbani edhe si alumni i këtij institucioni. Por pas secilës diplomë ka edhe një histori. Ka vite pune që keni bërë. Keni bërë netë të shumta studimi, edhe ditë. Provime, projekte, sfida, besoj edhe shumë miqësi, edhe sakrifica. Ka momente suksesi, por edhe momente kur keni dyshuar ndonjëherë se nuk po shkon në veten tuaj. Ka profesorë që ju kanë sfiduar të mendoni më thellë. Ka familje që ju kanë mbështetur, ka miq që kanë ecur me ju. Dhe mbi të gjitha, ekziston diçka sot që është vetëm e juaja dhe që askush nuk mund t’ju marrë. Kjo është dija. Dija që keni fituar, përvoja që keni krijuar, aftësia për të menduar dhe njeriu që ju bëri gjatë këtij rrugëtimi”, ka thënë ai.

Sipas tij, diplomimi nuk është vetëm përfundimi i studimeve.

“Prandaj diplomimi nuk është vetëm përfundimi i studimeve. Është vetëm një fazë kalimtare nga një fazë e jetës në fazën tjetër. Nga të mësuarit për profesionin, që ju tani më e konfirmoni ju nga sukseset dhe prania juaj këtu që keni arritur, te ushtrimi i tij. Nga kërkimi i përgjigjeve, te përgjegjësia për të krijuar dhe për të krijuar përgjigje. Nga studenti që pyet çfarë duhet të mësojë, te profesionisti që duhet të pyesë çfarë vlere mund të krijoj me atë që di. Ndoshta në fillim kisha ndaluar pak edhe për pjesën e familjeve tuaja. Të dashur prindër dhe familjarë, sot është një ditë e veçantë edhe për ju. Pas shumë prej këtyre të rinjve qëndron një familje që ka besuar, ka mbështetur, ka pritur dhe shpesh ka sakrifikuar. Ju i keni parë ditët e mira, por ndonjëherë edhe shqetësimet e tyre. I keni inkurajuar kur kanë pasur sukses dhe i keni mbështetur kur rruga është bërë më e vështirë. Sot, kur ata ngjiten në skenë për të marrë diplomën, diplomimin, ceremoninë e gradimit, një pjesë e asaj arritjeje ju takon edhe juve. Prandaj, në emër të UBT-së, edhe juve urime”, ka shtuar ai.

“Urime dhe faleminderit për besimin që keni pasur tek fëmijët tuaj! Urime dhe faleminderit edhe për besimin që ia keni dhënë UBT-së! Ne e dimë se kur një familje ia beson universitetit edukimin e fëmijës së saj, ajo nuk ia beson vetëm disa vite studimi. Ajo ia beson edhe një pjesë të së ardhmes së tij. Dhe kjo, më besoni, është një përgjegjësi që ne e marrim shumë, shumë seriozisht”, ka thënë ndër të tjera ai.

Hajrizi ka thënë se kjo ceremoni shënon edhe 25 vjetorin e UBT-së, duke trehuar se në fillim kishin vetëm 26 studentë, ndëra tani kanë me mijëra.

​“Këtë vit ne kemi 25-vjetorin. Kjo ceremoni natyrisht e ndërlidh në vete një domethënie të veçantë për UBT-në. Këtë vit shënojmë 25 vjet të UBT-së. Një çerek shekulli. Një çerek shekulli edukim, shkencë, inovacion, zhvillim, përfaqësim, lobim e të gjitha ato që kemi menduar që janë të mira për vendin. Kur filluam, natyrisht ishte një ide dhe një bindje e fortë. Një pasion, një motivim, një shtytje se Kosova meriton arsim cilësor, bashkëkohor dhe të lidhur me zhvillimet më të avancuara në botë. Në ceremoninë e parë të diplomimit, natyrisht kishim vetëm 26 studentë. Sot para nesh kemi mijëra studentë, dhe natyrisht kjo është një kënaqësi e veçantë, një rritje e vazhdueshme gjatë këtyre viteve. Çdo vit kemi pasur më shumë studentë, më shumë staf. Çdo herë është bërë një rritje organike që neve na krijon një universitet të veçantë gjatë këtyre 25 viteve”, ka shtuar ndër të tjera ai.

Të ngjashme