10 ditë. Edhe kaq kanë mbetur nga dita kur Trupi Gjykues në Gjykatën Speciale do të shpallë aktgjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Vendimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit shpallet më 16 shtator.
Para kësaj, më 12 shtator, në Prishtinë do të mbahet “Marshi i Lirisë”, i organizuar nga platforma “Liria ka Emër”, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Ky marsh ka gjetur përkrahje mbarëshqiptare, si në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Luginë të Preshevës e kudo që ka shqiptarë.
“Liria ka Emër”, së bashku me mërgatën, ka organizuar edhe “Natën e Pritjes”, ku qytetarët do të mblidhen më 15 shtator në ora 22:00 në Hagë dhe do të qëndrojnë aty deri të nesërmen e 16 shtatorit kur do të shpallet aktgjykimi.
Jo vetëm këto, që nga e shtuna e 22 gushtit, “Liria ka Emër” është duke organizuar çdo ditë aktivitete në mbështetje të tyre.
Filluan me vendosjen e “Orës së Pritjes” në Prishtinë dhe vazhduan edhe në qytete të tjera.
Në Prishtinë është vendosur një baner i madh me përshkrimin “Në emër të qytetarëve të Prishtinës: SHPALLENI TË PAFAJSHËM”.
Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi gjenden në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga 5 nëntori i vitit 2020.
Ata akuzohen nga Gjykata Speciale për krime të pretenduara lufte.
Të katërt këta janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha akuzat që i ngarkon Prokuroria e Speciales.
Organi i akuzës ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin nga krerët e UÇK-së.
Për procesin gjyqësor në Hagë ka pasur vazhdimisht kritika nga njohës të çështjeve juridike.