Kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, u takua këtë të hënë më të Dërguarin Special të Presidentit të SHBA Donald J. Trump për Partneritet Globale, Ambasadorin Paolo Zampolli.
“Temat e diskutimit ishin të shumta dhe produktive. Shqipëria është shembull i rolit dhe partneriteteve për paqe e stabilitet. Jemi krenarë që Shqipëria do të mirëpresë vitin e ardhshëm Samitin e NATO-s dhe gjithashtu u vlerësua nga Ambasadori anëtarësimi i Shqipërisë përmes Kryeministrit Edi Rama në Bordin e Paqes”, tha Balla, përcjell A2 CNN.
“Shqipëria është një model botëror i bashkëjetesës ndërfetare, ku harmonia ndërmjet komuniteteve fetare ka shërbyer gjithmonë si një themel i rëndësishëm i unitetit dhe kohezionit të shoqërisë shqiptare”.
Deri tani, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë nuk ka dhënë një njoftim zyrtar mbi vizitën dhe temat e diskutimeve.
Burime bëjnë me dije se një prej çështjeve të rëndësishme në këto takime lidhet pikërisht me projektin për krijimin e shtetit sovran Bektashi, edhe pse mbetet e paqartë nëse kjo është tema kryesore e vizitës së tij.