Hoxhaj i ashpër me Kurtin: I thur vargje Kushtetutës së Kaçanikut, por i rrënon çdo ditë themelet e saj në Kosovë

Prishtinë | 07 Sht 2026 | 20:41 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, me rastin e 36-vjetorit të shpalljes së Kushtetutës së Kaçanikut.

Hoxhaj ka thënë se Kurti nuk mund ta kujtojë dhe nderojë me fjalë Kushtetutën e Kaçanikut, ndërkohë që, sipas tij, Kushtetutën e sotme të Republikës së Kosovës e shkel dhe e përdhos çdo ditë.

“Nuk mund ta kujtosh dhe ta nderosh me fjalë Kushtetutën e Kaçanikut, e Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila ka dalë nga fryma dhe vizioni i saj shtetformues, e shkel dhe e përdhos çdo ditë, duke e çuar vendin drejt rrënimit të rendit kushtetues”, ka shkruar Hoxhaj.

Ish-kryediplomati ka theksuar se 36 vjet më parë, në Kaçanik, u vendosën themelet juridike dhe politike të shtetit të Kosovës, ndërsa ka akuzuar Kurtin se sot po përpiqet t’i rrënojë pikërisht ato themele.

“36 vjet më parë, në Kaçanik u vendosën themelet juridike dhe politike të shtetit tonë, pikërisht ato themele që, 36 vjet më vonë, Albin Kurti po përpiqet t’i rrënojë”, ka deklaruar ai.

Sipas Hoxhajt, Kushtetuta e Kaçanikut ishte një akt guximi, vizioni dhe rezistence kombëtare, i cili i hapi rrugë lirisë, pavarësisë dhe shtetit sovran.

Ai ka pretenduar se Kurti i ka kundërshtuar këto ideale shtetformuese që nga fillimi i angazhimit të tij politik, ndërsa sot, nga pozita e pushtetit, synon t’i rrënojë ato.

“Kushtetuta nuk nderohet me deklarata përkujtimore, por duke e respektuar dhe zbatuar atë”, ka përfunduar Hoxhaj.

Të ngjashme