Faton Peci është emëruar në krye të partisë Guxo, duke marrë drejtimin e subjektit politik që për disa vite e ka udhëhequr së bashku me Donika Gërvallën, transmeton Gazeta Metro.
Lajmin për zgjedhjen e Pecit e ka bërë të ditur vetë Gërvalla përmes një postimi në Facebook, ku e ka përshëndetur vendimin e ri të partisë.
“Faton Peci, Kryetar i Partisë Guxo. E ardhmja iu takon atyre që guxojnë! Urime të gjithëve e na priftë e mbara!”, shkroi Gërvalla.
Guxo është regjistruar zyrtarisht si subjekt politik në vitin 2022, ndërsa aktivitetin politik e kishte nisur më herët, kur në nëntor të vitit 2020 garoi në formën e një liste. Që nga paraqitja e saj në skenën politike, Guxo ka marrë pjesë në zgjedhje përmes listës së përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje.
Peci dhe Gërvalla kanë qenë në bashkëdrejtim të partisë që nga viti 2022, ndërsa me zgjedhjen e tij, Peci tash do ta ketë përgjegjësinë e drejtimit të subjektit politik.