Një emër shqiptar është futur në mesin e më të mirëve të futbollit botëror.
Elena Sadiku është nominuar për çmimin e trajneres më të mirë të vitit në kuadër të ceremonisë së Topit të Artë 2026, duke u renditur mes pesë emrave që do të konkurrojnë për këtë vlerësim prestigjioz.
“France Football”, në bashkëpunim me UEFA-n, ka nisur të martën publikimin e listave zyrtare të të nominuarve për çmimet e këtij viti, pas një sezoni të jashtëzakonshëm si në futbollin e klubeve, ashtu edhe në atë të kombëtareve.
Elena Sadiku mes pesë trajnereve më të mira
Në kategorinë për trajneren më të mirë të vitit në futbollin e femrave janë nominuar:
Për Sadikun, nominimi përbën një tjetër arritje të rëndësishme në karrierën e saj, duke e vendosur mes emrave më të vlerësuar të futbollit të femrave në botë.
Vetë fakti që ajo është futur në listën përfundimtare të “France Football” është një sukses i madh, duke marrë parasysh konkurrencën dhe nivelin e trajnerëve të përzgjedhur.
Barcelona mes klubeve më të mira të femrave
Publikimi i nominimeve nisi me kategorinë për klubin më të mirë të femrave.
Barcelona, fituese e kampionatit spanjoll dhe Ligës së Kampionëve, është një nga kandidatet kryesore.
Në garë janë gjithashtu Bayern Munich, finaliste e Ligës së Kampionëve, Manchester City dhe Lyon.
Arsenal, Bayern dhe PSG në garë për klubin më të mirë të meshkujve
Në kategorinë për skuadrën më të mirë të meshkujve, Arsenal është mes favoritëve pas fitimit të Premier League dhe arritjes deri në finalen e Ligës së Kampionëve.
Në listë janë gjithashtu Bayern Munich, kampion i Bundesligës, Bodø/Glimt nga Norvegjia, Flamengo nga Brazili dhe Paris Saint-Germain.
Katër spanjollë në garë për trajnerin më të mirë
Spanja dominon listën e kandidatëve për trajnerin më të mirë të vitit në futbollin e meshkujve.
Mikel Arteta i Arsenalit, Luis de la Fuente i kombëtares së Spanjës, Unai Emery i Aston Villas dhe Luis Enrique i Paris Saint-Germain janë të nominuar.
Pesëshen e kompleton trajneri belg i Bayern Munichut, Vincent Kompany.
Jashtë listës kanë mbetur disa emra të mëdhenj, përfshirë Hansi Flick, Pep Guardiola, Diego Simeone dhe Lionel Scaloni.
Si përcaktohen fituesit?
Topi i Artë dhe çmimet e tjera përcaktohen përmes votimit të gazetarëve sportivë nga vende të ndryshme të botës.
Në vlerësim merren parasysh paraqitjet individuale dhe kolektive, trofetë e fituar, vazhdimësia gjatë sezonit, ndikimi në lojë dhe sjellja sportive.
Sezoni i kaluar solli një konkurrencë të jashtëzakonshme në ligat kryesore evropiane, Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Botës 2026, duke e bërë garën e këtij viti një nga më interesantet e viteve të fundit.
Ceremonia mbahet më 26 tetor në Londër
Ceremonia e Topit të Artë 2026 do të organizohet më 26 tetor në Londër, për herë të parë në historinë e çmimit.
Përveç Topit të Artë për lojtarin dhe lojtaren më të mirë, do të ndahen edhe çmime të tjera prestigjioze, përfshirë trofeun “Yashin” për portierin më të mirë, “Kopa” për talentin më të mirë të ri, si dhe çmimet për trajnerët dhe klubet më të mira.
Për publikun shqiptar, një nga kategoritë që do të ndiqet me interes të veçantë këtë vit do të jetë pikërisht ajo e trajneres më të mirë, ku Elena Sadiku tashmë është zyrtarisht mes pesë më të mirave në botë. /GazetaExpress/