Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se sot ka pranuar letrat kredenciale të ambasadorit të ri të Mbretërisë së Belgjikës në Republikën e Kosovës, Arnaud Dusaucy.
Përmes një postimi, Haxhiu ka bërë të ditur se ambasadorit të ri belg i ka uruar mirëseardhje dhe sukses në misionin e tij diplomatik në Kosovë.
“Sot pranova letrat kredenciale të Ambasadorit të ri të Mbretërisë së Belgjikës në Republikën e Kosovës, z. Arnaud Dusaucy, të cilit i urova mirëseardhje dhe shumë sukses në misionin e tij diplomatik”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka theksuar se Kosova dhe Belgjika kanë ndërtuar ndër vite marrëdhënie të mira, të cilat, sipas saj, janë mbështetur në miqësi, partneritet dhe përkrahjen e vazhdueshme të Belgjikës për Kosovën.
“Kosova dhe Belgjika kanë ndërtuar ndër vite marrëdhënie të shkëlqyera, të mbështetura në miqësi, partneritet dhe përkrahjen e vazhdueshme të Belgjikës për vendin tonë, që nga periudha e luftës, njohja e hershme e pavarësisë e deri te proceset e shtetndërtimit dhe integrimit euroatlantik”, ka deklaruar ajo.
Sipas Haxhiut, gjatë takimit është diskutuar për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, veçanërisht në aspektin politik dhe ekonomik.
“Gjatë takimit diskutuam për mundësitë e thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit politik dhe ekonomik, për rritjen e shkëmbimeve dhe investimeve, si dhe për perspektivën evropiane dhe euroatlantike të Kosovës”, ka shkruar Haxhiu.
Ushtruesja e detyrës së presidentes ka shprehur bindjen se gjatë mandatit të ambasadorit Dusaucy do të avancohen më tej marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës.
“Shpreha bindjen se gjatë mandatit të Ambasadorit Dusaucy do t’i avancojmë edhe më tej marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona dhe do të hapim fusha të reja bashkëpunimi në interes të qytetarëve tanë”, ka shtuar Haxhiu.