Begaj para nisjes së sesionit parlamentar: Përgjegjësia është e përbashkët

Prishtinë | 08 Sht 2026 | 15:56 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në prag të nisjes së sesionit të ri parlamentar, u ka uruar punë të mbarë deputetëve, duke bërë thirrje për bashkëpunim, dialog dhe përgjegjësi të përbashkët në përballimin e sfidave të vendit.

Begaj tha se hapja e një sesioni të ri parlamentar është moment për të reflektuar mbi rezultatet e arritura, për të identifikuar sfidat prioritare dhe për të programuar në mënyrë më efektive punën institucionale.

Ai theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes qytetare në jetën publike, duke vlerësuar protestën paqësore dhe shprehjen e lirë të mendimeve si pjesë të natyrshme të jetës demokratike.

Sipas Begajt, demokracia e konsoliduar nuk përcaktohet nga mungesa e dallimeve politike, por nga mënyra se si ato përballohen.

“Dallimet politike bashkëjetojnë me demokracinë dhe Kuvendi është vendi ku ato duhet të shprehen, të debatohen dhe të përballen me argumente”, tha Begaj.

Presidenti u shpreh se qytetarët kanë pritshmëri të larta ndaj Kuvendit sa i përket cilësisë së debatit, gjuhës politike, ligjbërjes dhe përfaqësimit, duke kërkuar që parlamenti të jetë funksional, përfaqësues dhe llogaridhënës.

Begaj veçoi si prioritete sigurinë kombëtare, shtetin e së drejtës, zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve, partneritetin strategjik me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, zgjedhjet, reformën territoriale dhe integrimin evropian të Shqipërisë.

Ai tha se rruga evropiane dhe orientimi euroatlantik janë zgjedhje strategjike të vendit, ndërsa procesi i integrimit në BE kërkon vazhdimësi, bashkëpunim dhe përgjegjësi të përbashkët.

“Bashkimi Evropian nuk është vetëm një destinacion diplomatik apo një objektiv politik. Për qytetarët tanë, ai lidhet me besimin te reformat, me cilësinë e institucioneve dhe me sigurinë se ligji zbatohet për të gjithë”, tha presidenti.

Begaj vlerësoi gjithashtu reformën në drejtësi, duke e cilësuar konsolidimin e saj si një nga përgjegjësitë më të rëndësishme të shtetit shqiptar. Ai veçoi rezultatet e SPAK-ut si një nga arritjet më të rëndësishme të reformës dhe theksoi nevojën për një drejtësi efikase, të pavarur, të paanshme dhe me integritet.

Në mesazhin e tij, presidenti u bëri thirrje forcave politike që të tejkalojnë ndarjet e ditës dhe të punojnë për interesat afatgjata të vendit.

“Mandatet dhe bindjet politike janë të ndryshme, por përgjegjësia ndaj Shqipërisë është e përbashkët”, tha Begaj.

Ai uroi që sesioni i ri parlamentar të jetë periudhë bashkëpunimi në shërbim të qytetarëve, forcimit të institucioneve dhe afrimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.

Të ngjashme