Pesë persona të arrestuar për tjetërsimin e dyshuar të një prone në vlerë 1.5 milionë euro

Prishtinë | 08 Sht 2026 | 16:35 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se pesë persona janë arrestuar nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe tentim të tjetërsimit të një prone në Fushë Kosovë, me vlerë rreth 1.5 milionë euro.

Sipas Prokurorisë, arrestimet janë bërë sot në koordinim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se, në koordinim me Policinë e Kosovës, Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prishtinë, pas zhvillimit të veprimeve hetimore lidhur me dyshimet për keqpërdorim të autoritetit zyrtar, sot janë arrestuar pesë (5) persona”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas dyshimeve fillestare, personat e përfshirë kanë keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar për t’i pajisur me fletë poseduese personin me inicialet M.S. për një pronë në Fushë Kosovë, me sipërfaqe prej dy hektarësh.

“Sipas dyshimeve fillestare, personat e përfshirë duke keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar, me dashje dhe në mënyrë të kundërligjshme, kanë pajisur me fletë poseduese personin M.S, për pronën e cila gjendet në Fushë Kosovë, me sipërfaqe prej 2 hektar”, thuhet në komunikatë.

Prokuroria dyshon se më pas M.S., në bashkëpunim me persona të tjerë, ka tentuar që pronën ta tjetërsojë përmes shitblerjes, duke përdorur dokumente të falsifikuara.

“Dhe më pas personi M.S ka tentuar që në bashkëpunim me persona të tjerë këtë pronë ta tjetërsoi përmes shitblerjes tek personat M.Z dhe M.Z me dokumente të falsifikuara në vlerë prej një milion e pesëqind mijë (1.500.000) eurosh”, njofton Prokuroria.

Të dyshuarit po hetohen për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, sipas nenit 414 dhe nenit 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Arrestimi është kryer nga Policia e Kosovës, përkatësisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ndërsa të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit të shtetit.

“Arrestimi është realizuar nga Policia e Kosovës, përkatësisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (NJRHKEK), ndërsa me urdhër të prokurorit të shtetit, personat e dyshuar janë ndaluar për 48 orë”, thuhet në njoftim.

Prokuroria ka deklaruar se do të vazhdojë hetimet dhe bashkëpunimin me institucionet përkatëse në luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me institucionet e tjera përkatëse, mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe korrupsionit, si dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me ligjin”, thotë njoftimi.

Të ngjashme