Kusari njofton për vendosjen e masës antidamping ndaj farës së grurit nga Serbia

Prishtinë | 08 Sht 2026 | 16:45 | Nga Ekonomia Online

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari, ka njoftuar se ka nënshkruar vendimin për vendosjen e një detyrimi të përkohshëm antidamping ndaj importit të farës së grurit për mbjellje me origjinë nga Serbia.

Sipas Kusarit, masa është vendosur në vlerë prej 0.04 euro për kilogram, pas një hetimi të zhvilluar nga ministria dhe dëshmive paraprake për import të produkteve me çmime damping, që dyshohet se kanë dëmtuar prodhuesit vendorë.

“Si Ministre në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, sot kam nënshkruar vendimin për vendosjen e detyrimit të përkohshëm antidamping prej 0.04 euro për kilogram ndaj importit të farës së grurit për mbjellje me origjinë nga Serbia”, ka shkruar Kusari.

Ajo ka bërë të ditur se vendimi është marrë pas hetimeve të zhvilluara nga Ministria, ndërsa ka theksuar se qëllimi është mbrojtja e prodhuesve vendorë nga konkurrenca që konsiderohet e pandershme.

“Ky vendim është marrë pas hetimit të zhvilluar nga Ministria dhe dëshmive paraprake për import me çmime damping dhe dëmtim të prodhuesve vendorë”, ka deklaruar ajo.

Kusari ka thënë se prodhuesit vendorë nuk do të lihen pa mbrojtje, duke theksuar se tregu duhet të jetë i hapur, por edhe i drejtë.

“Prodhuesi vendor nuk do të lihet i pambrojtur përballë konkurrencës së pandershme. Tregu ynë duhet të jetë i hapur, por edhe i drejtë. Do të përdorim çdo instrument ligjor në dispozicion për të mbrojtur prodhimin vendor, konkurrencën dhe interesin ekonomik të Kosovës”, ka shtuar Kusari.

Të ngjashme